Një audioincizim i publikuar të martën nga avokati Besnik Berisha zbulon bisedën që Arlinda Zekaj zhvilloi me një zyrtar policor para vrasjes së saj. Në të, ajo pyet se si po trajtohej rasti i saj nga Policia dhe Prokuroria.
Polici e pyet nëse hetuesi i kishte dhënë ndonjë shpjegim. Arlinda i përgjigjet se nuk i kishte treguar asgjë. Më pas, ai i sugjeron që të flasë edhe me avokaten e saj për atë që kishin thënë hetuesi dhe prokurorja kujdestare.
Shqyrtimi i kamerave dhe statusi i rastit
Sipas shpjegimit të policit, kamerat e sigurisë do të shqyrtoheshin të nesërmen. Ai sqaron se, për momentin, çështja nuk konsiderohej rast, por ishte regjistruar si shënim zyrtar, një lloj «gjysëm-rasti», siç e përshkruan vetë. Kur Arlinda pyet për cilat kamera bëhej fjalë, ai përgjigjet se ishin kamerat e shtëpisë.
Kthimi në shtëpi dhe qëndrimi i prokurorisë
Arlinda kërkon më pas të dijë çfarë kishte thënë prokurorja për kthimin e saj në shtëpi. Polici i përgjigjet se ajo duhej të kthehej. Ajo pyet nëse personat për të cilët shqetësohej nuk do të ishin më aty, por ai konfirmon se do të ndodheshin në shtëpi.
Burimi: www.albeu.com









