Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Letonia kërkon mbledhje urgjente të OKB-së për sulmet ruse

Letonia kërkon mbledhje urgjente të OKB-së për sulmet ruse
Foto: reporteri.al

TALIN, 3 nëntor /ATSH-DPA/- Letonia ka kërkuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të sulmeve të fundit ruse ndaj Ukrainës.

Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braže, njoftoi sot për këtë nismë përmes një postimi në platformën sociale X.

Kërkesa vjen pas një vale të re bombardimesh të rënda ruse ndaj Ukrainës, gjatë së cilës Moska përdori raketa lundruese dhe dronë luftarakë.

Braže i cilësoi sulmet si “sulme të tmerrshme ruse kundër civilëve në Ukrainë”, duke kërkuar reagimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nisma e Rigës synon ta vendosë përshkallëzimin e fundit të sulmeve në qendër të diskutimeve të organit më të lartë të Kombeve të Bashkuara për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Letonia mori për herë të parë një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 1 janar të këtij viti, për një mandat dyvjeçar si anëtare e përkohshme.

Aktualisht, vendi baltik mban edhe presidencën e radhës të Këshillit, e cila ndërrohet çdo muaj.

Letonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një nga partnerët dhe mbështetësit e afërt të Ukrainës, e cila prej afro pesë vitesh po përballet me pushtimin rus. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha