Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kimi Antonelli shkëlqen në Formula 1, nëna rrëfen sakrificat e familjes

Kimi Antonelli shkëlqen në Formula 1, nëna rrëfen sakrificat e familjes
Foto: reporteri.al

ITALI, 3 nëntor /ATSH/ – Pas suksesit të madh në Formula 1, piloti italian Kimi Antonelli mbetet, për familjen e tij, djali i vogël, pavarësisht famës dhe arritjeve në pista.

Në një intervistë për mediat italiane, nëna e tij, Veronica, ka përshkruar rrugën e të birit drejt automobilizmit të nivelit të lartë, duke folur për sakrificat dhe mbështetjen e vazhdueshme të familjes që nga fëmijëria.

Fëmijëria dhe fillimet në garë

Ajo tregoi se Kimi u rrit mes makinave dhe motorëve, në punishten e gjyshit, ndërsa interesi për garat u shfaq shumë herët. Në moshën një vjeçare qëndronte në një kart, në prehrin e babait, ndërsa në moshën tre vjeçare provoi për herë të parë simulatorin e drejtimit.

Veronica thotë se familja nuk kurseu përpjekjet për ta mbështetur ëndrrën e tij. Për të mbuluar shpenzimet e garave, ata morën edhe një kredi bankare, me të cilën blenë një helmetë të re dhe siguruan biletat e udhëtimit për në kompeticione.

“Vinim nga një familje e thjeshtë, ku puna dhe sakrifica nuk kanë munguar kurrë”, thotë ajo, duke shtuar se në disa raste i shoqi është detyruar të ngjitej në një vinç për të zëvendësuar motorët e makinave.

Mbështetja familjare dhe vlerat e përditshme

Edhe pse sot Kimi ka të ardhura të konsiderueshme nga karriera sportive, nëna e tij thotë se përpiqet ta mbajë të lidhur me vlerën e parasë. Ajo i cakton një buxhet për shpenzimet personale dhe vazhdon të ketë rol aktiv edhe në zgjedhjet e tij të përditshme.

Sipas Veronicës, Kimi është më shumë i interesuar për makinat sesa për veshjet, ndërsa motra e tij e vogël, Maggie, është më e shkathët dhe shpesh e vë në lojë.

Përtej titujve, trofeve dhe kostumeve të garave, për nënën ai mbetet gjithmonë “Topolino”, nofka përkëdhelëse me të cilën e thërret në familje.

“Nuk ka rëndësi sa objektiva do të arrijë, sa trofe do të ngrejë apo sa kostume garash do të veshë. Kimi do të mbetet gjithmonë Topolino im”, shprehet ajo.

Ky rrëfim sjell në vëmendje anën njerëzore të suksesit sportiv dhe rolin e familjes në rrugëtimin e një kampioni.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha