Shqipëria po paraqet potencialin e saj turistik në WTM London 2026, një nga panairet më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së udhëtimeve, përmes një programi triditor që lidh kulturën, trashëgiminë, gastronominë, destinacionet natyrore dhe inovacionin digjital.
Nga 3 deri më 5 nëntor, stenda shqiptare në Londër është kthyer në një vend takimi për përfaqësuesit e industrisë së turizmit, operatorët turistikë dhe vizitorët. Stenda thekson cilësitë që e bëjnë Shqipërinë një destinacion për t’u zbuluar gjatë gjithë vitit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale programin e aktiviteteve të tri ditëve të panairit, nën moton “Ndjeje Shqipërinë”. Promovimi i destinacioneve shoqërohet me prezantime kulturore, përvoja gastronomike dhe forma të reja të eksplorimit virtual.
Programi ditë pas dite
Programi i ditës së parës, më 3 nëntor, filloi me ceremoninë e hapjes së stendës dhe pritjen e partnerëve. Më pas u prezantua potenciali turistik i bashkive Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Roskovec. Në fokus ishin gjithashtu atraksionet e Durrësit dhe Mirditës, trashëgimia artizanale dhe objektet që tregojnë historinë e kulturës shqiptare.
Gastronomia mori një vend të veçantë në program, përmes prezantimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale shqiptare. Aktivitetet interaktive dhe realiteti virtual i njohën vizitorët me kulturën, natyrën dhe destinacionet e vendit në një formë më bashkëkohore. Dita përfundoi me një performancë artistike, ku valltarët dhe muzikantët sollën elemente të traditës shqiptare në skenën e panairit.
Dita e dytë, më 4 nëntor, u zhvillua nën moton “Lidhu me Shqipërinë”, me theks te gastronomia, destinacionet dhe turizmi digjital. Vlora dhe Roskovec prezantuan ofertën dhe përvojat e tyre turistike, ndërsa Ada Minarolli nga Agjencia Kombëtare e Turizmit paraqiti platformën “TEA 4.0”, e cila orienton vizitorët drejt eventeve dhe aktiviteteve në Shqipëri.
Një pjesë e programit iu kushtua artizanatit në punë, ku vizitorët u njohën me punimet tradicionale dhe elementet e trashëgimisë shqiptare. Aktiviteti “Histori përmes shijeve shqiptare” rrëfeu origjinën, traditën dhe identitetin e produkteve gastronomike, me prezantime dhe degustime. Programi përfshiu gjithashtu materiale promovuese, dhurata simbolike dhe eksplorime virtuale të destinacioneve shqiptare, dhe u mbyll me muzikë dhe valle tradicionale.
Dita e tretë dhe përmbyllja
Dita e tretë dhe e fundit, më 5 nëntor, mban moton “Zbulo Shqipërinë në katër stinë” dhe vendos në qendër turizmin gjithëvjetor, natyrën dhe aventurën. Përmes katër videove promovuese të aktivitetit “Shqipëria 365 ditë”, vendi paraqitet si një destinacion që ofron përvoja të ndryshme në çdo stinë.
Programi vazhdoi me muzikë shqiptare dhe momente të dedikuara dhuratave simbolike. Ritmentila Dyrma nga Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi me video përvojat që ofron Shqipëria për turizmin e aventurës. Një udhëtim tjetër vizual, me titull “Shqipëria, muaj pas muaji”, solli destinacionet dhe përvojat që mund të zbulohen gjatë gjithë vitit.
Realiteti virtual dhe degustimi i ushqimeve tradicionale plotësuan aktivitetet e ditës. Programi përfundoi me një video-udhëtim nëpër Shqipëri dhe mbylljen e stendës në orën 17:00.

Përmes kësaj prezantimi në WTM London 2026, Shqipëria synon të përcjellë një imazh turistik që shkon përtej sez
Burimi: kultplus.com










