Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

UNRECOGNIZED vjen në Tiranë, shfaqje që eksploron kufijtë mes shtëpisë dhe mërgimit

UNRECOGNIZED vjen në Tiranë, shfaqje që eksploron kufijtë mes shtëpisë dhe mërgimit
Foto: kultplus.com

Shfaqja “UNRECOGNIZED” në Tiranë

Me historitë e zhvendosjes, kujtesën e plagosur dhe kërkimin e përkatësisë, shfaqja ndërkombëtare “UNRECOGNIZED” do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, më 5 nëntor, në orën 20:00.

Me tekst nga Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia, si dhe me regji të regjisorit gjeorgjian Data Tavadze, vepra frymëzohet nga miti i Ifigjenisë në Taurid. Ajo e sjell mitin në kontekst bashkëkohor, duke ndërthurur dokumentarin, dëshmitë personale, fiksionin dhe humorin.

Në qendër të shfaqjes janë lufta, zhvendosja, kufijtë, përkatësia dhe njohja, por mbi të gjitha përvoja njerëzore e humbjes së lidhjes me vendin, historinë dhe identitetin. Përmes historive personale dhe situatave skenike, shfaqja ngre pyetjen se çfarë i ndodh një qenieje njerëzore kur shtëpia, historia apo edhe vetë ekzistenca e saj nuk njihet më.

Ekipi dhe aktorët

Ky bashkëprodhim ndërkombëtar bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia. Në skenë luajnë Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami.

Pas premierës botërore në Shkup, më 10 tetor, dhe prezantimeve në Gjilan e Prishtinë, Tirana është një ndalesë tjetër e rëndësishme në rrugëtimin ndërkombëtar të shfaqjes. Turneu vazhdon më pas në Prizren dhe në qytete të Suedisë e Gjeorgjisë, përfshirë Malmö-n, Göteborg-un, Stokholmin dhe Tbilisin.

“UNRECOGNIZED” është bashkëprodhim i Qendrës Multimedia (Prishtinë/Kosovë), Royal District Theatre (Tbilisi/Gjeorgji), Örnproduktion (Stokholm/Suedi), Theatre on Pechersk (Kiev/Ukrainë), Teatrit Shqiptar në Shkup (Shkup/Maqedonia e Veriut), Malmö Stadsteater (Malmö/Suedi), Dramaten (Stokholm/Suedi) dhe Göteborgs Stadsteater (Göteborg/Suedi).

Shfaqja do të prezantohet më 5 nëntor 2026, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë. Për rezervime, publiku mund të kontaktojë në numrin 069 571 7746, ndërsa më shumë informacione gjenden në Instagramin @teatrikombetareksperimental./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha