Buxheti për kërkimin shkencor
TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi sot se kërkimi shkencor është programi i buxhetit arsimor me rritjen më të shpejtë krahasuar me vetveten në projektbuxhetin e arsimit për vitin 2027.
Gjatë prezantimit të sotëm në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportin, Kumbaro tha se programi financohet me 2,27 miliardë lekë, afërsisht 25 milionë euro, me një rritje prej 28,2%. Investimet kapitale nga buxheti i shtetit pothuajse do të dyfishohen, nga 350 në 650 milionë lekë. Sipas planit të hartuar, kjo rritje arrin 750 milionë lekë në 2028 dhe 850 milionë lekë në 2029. Vetëm për investimet kapitale në programin e kërkimit shkencor, financimi për tre vjet është 2,25 miliardë lekë, dhe bashkë me financimin e huaj arrin 3,45 miliardë lekë, rreth 38 milionë euro.
Për vitin 2027, projektet kërkimore të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit do të financohen me 584 milionë lekë, ndërsa tre laboratorë të rinj në universitete me 66 milionë lekë. Ky financim mbulon një laborator për analizimin e komponimeve, një projekt për modifikimin termik të materialeve në Universitetin Bujqësor dhe Laboratorin e Simulimit Virtual të Imazherisë Diagnostike në Universitetin e Mjekësisë. Brenda muajit nëntor do të hapet edhe thirrja për Projektet e Infrastrukturës në Kërkimin Shkencor, e dedikuar vetëm investimeve në laboratorët e universiteteve publike dhe infrastrukturës së nevojshme për kryerjen e kërkimit shkencor, tha ministrja Kumbaro.
Programet ndërkombëtare dhe doktoraturat
Kumbaro shtoi se Ministria e Arsimit paguan edhe kuotën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet ndërkombëtare, si Horizon Europe dhe Erasmus+, të cilat më pas sjellin projekte për universitetet dhe kërkuesit. Ministria financon gjithashtu bursat Fulbright për studentët që studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto shpenzime arrijnë shumën 360 milionë lekë.
Duke folur për mbështetjen e programit të doktoraturave, ministrja sqaroi se thirrja për Financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026, e hapur këto javë, ka një buxhet të dedikuar prej mbi 670 mijë euro, nga rreth 100 mijë euro vitin e kaluar. Mbështetja arrin deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde dhe deri në 30 mijë euro për ato industriale.
/e.i/r.e/
Burimi: ata.gov.al









