Buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2027
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet pjesën e projektligjit „Për Buxhetin e Vitit 2027” që lidhet me arsimin. Duke e cilësuar si një rritje historike, ajo njoftoi se projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Arsimit parashikohet në vlerën 67,95 miliardë lekë.
„Ministria e Arsimit do të administrojë për vitin 2027 një buxhet prej 67,95 miliardë lekësh, afërsisht 748 milionë euro, me një rritje prej 4,8% krahasuar me buxhetin që miratuam një vit më parë. Të pesë programet buxhetore për vitin 2027 marrin më shumë fonde se në vitin që po mbyllim, dhe asnjë zë i arsimit nuk hyn në vitin e ri me më pak buxhet. Përkundrazi, të gjitha zërat, nga arsimi parauniversitar deri tek arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, shënojnë rritje të ndjeshme. Këto do t’i paraqes gjatë fjalës në vijim”, tha Kumbaro.
Kumbaro theksoi se buxheti i vitit 2027 do të mbështesë të gjithë komponentët e sektorit të arsimit, nga arsimi parashkollor deri tek arsimi i lartë. Fondet e dedikuara për këtë sektor arrijnë rreth 1,03 miliardë euro.
„Fondet e dedikuara sektorit të arsimit arrijnë në 93,7 miliardë lekë, rreth 1,03 miliardë euro. Parashikimi është që deri në vitin 2029 sektori të kalojë për herë të parë pragun e 100 miliardë lekëve.
Investimet, shërbimet dhe personeli
Totali i vitit 2027 është 3,8 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026. Investimet kapitale të Ministrisë së Arsimit arrijnë rreth 19,5 miliardë lekë në tre vitet 2027–2029, afërsisht 89% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Ato rriten me rreth 24% midis viteve 2025 dhe 2029, më shumë se çdo kategori tjetër e buxhetit. Financimet e drejtpërdrejta të Ministrisë u shërbejnë mbi 270 mijë fëmijëve dhe nxënësve të arsimit parashkollor dhe bazë, rreth 59 mijë nxënësve të arsimit të mesëm të lartë dhe rreth 79 mijë studentëve, duke iu referuar vetëm institucioneve publike. Gjithashtu, 30.800 punonjës paguhen nga buxheti i Ministrisë, konkretisht mësues, mësues ndihmës, psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie, si dhe rreth 5.800 anëtarë të trupës akademike, ndihmës akademikë e administrativë në universitetet publike, theksoi ministrja Kumbaro.
Projektbuxheti i vitit 2027 për arsimin arrin në 67,95 miliardë lekë, me një rritje prej 4,8% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit, përfshirë bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera, kap vlerën prej 93,7 miliardë lekësh, rreth 1,03 miliardë euro. Rritja e mëtejshme e investimeve në arsim, rritja e mbështetjes për studentët, arsimi gjithëpërfshirës dhe zgjerimi i programeve në arsimin parauniversitar janë shtyllat kryesore që mbështet buxheti i vitit 2027 në sektorin e arsimit.
Burimi: abcnews.al










