Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Taksat e reja prekin mijëra makina elektrike dhe miliona të huaja

Taksat e reja prekin mijëra makina elektrike dhe miliona të huaja
Foto: shqiptarja.com

Taksa vjetore për automjetet elektrike

Rreth 10 mijë automjete elektrike që qarkullojnë në Shqipëri pritet të përfshihen në skemën e re të taksimit. Për herë të parë do të zbatohet gjithashtu një tarifë e re, që do të preku edhe automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar.

Ndryshimet janë pjesë e paketës së re fiskale, e cila parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe transferimin e saj te taksat vjetore të automjeteve.

Konkretisht, projektligji për ndryshimet në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, parashikon vendosjen e një takse vjetore fikse për automjetet elektrike, sipas kategorisë së tyre.

Projektligji propozon që niveli i taksës për autoveturat elektrike, autobusët dhe kategoritë e tjera të mjeteve të jetë 15 mijë lekë në vit, ndërsa për motomjetet elektrike detyrimi do të jetë 1 mijë lekë në vit. Aktualisht mbi mjetet elektrike nuk zbatohet taksa vjetore.

Taksat e reja prekin mijëra makina elektrike dhe miliona të huaja

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, nga këto ndryshime do të preken mbi 10 mijë automjete elektrike në vend.

Taksa për automjetet e huaja dhe zhvendosja e taksës

Një tjetër ndryshim i paketës është vendosja e një takse qarkullimi për automjetet e huaja që hyjnë në Shqipëri. Ndërhyrjet u paralajmëruan nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës fiskale.

“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht çmimin e naftës me 32 lekë në pompë. Taksën do ta rikthejmë te makina dhe do ta mbledhim përmes Drejtorisë përkatëse të Transportit Rrugor.

Nga ana tjetër, do të vendosim një taksë të re qarkullimi, ashtu si e ka gjithë Europa, për makinat e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të masave.

Burime nga Ministria e Financave konfirmuan se tarifa e re për makinat e huaja që hyjnë në vend do të përcaktohet sipas numrit të ditëve të qëndrimit në territorin shqiptar. Sipas të dhënave të ministrisë, gjatë nëntë muajve të parë të vitit kanë hyrë në vend rreth 2,6 milionë mjete me targa të huaja.

Heqja e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe zhvendosja e saj te mjetet pritet të ndryshojë taksat për një sërë kategorish, përfshirë automjetet e përdorura dhe mjetet luksoze.

Për mjetet e përdorura, detyrimi për taksat vjetore pritet të rritet deri në dyfishin e asaj që paguhet aktualisht. Sipas formulës së re, një automjet me naftë, me vit prodhimi 2013 dhe cilindrată 2,000 cm³, do të paguajë 18 mijë lekë në vit, nga 9 mijë lekë që paguan tani.

Ndryshime parashikohen edhe për automjetet luksoze. Taksa vjetore për këtë kategori propozohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë, pra 19 mijë lekë më shumë në vit, ose 90% më shumë se sa paguhet aktualisht. Kjo masë pritet të sjellë rreth 430 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.

Me paketën e re fiskale, zhvendosja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga karburantet te taksat vjetore të automjeteve pritet të rrisë të ardhurat nga taksat e mjeteve me 7.2 mld lekë. Aktualisht, të ardhurat për këtë kategori arrijnë në 26.6 miliardë lekë, ndërsa pas ndryshimeve parashikohet të arrijnë në 33.8 miliardë lekë.

Efekti neto i kësaj mase, sipas relacionit të projektligjit, llogaritet si rënie e ardhurash prej 5 miliardë lekësh nga Ministria e Financave. Ndërkohë, çmimi i karburanteve pritet të bjerë me 32.3 lekë për litër.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha