Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Hajduti në Tokio kthen orën e vjedhur me një letër ndjese

Hajduti në Tokio kthen orën e vjedhur me një letër ndjese
Foto: albeu.com

Një orë luksoze zvicerane me vlerë mbi 260,000 euro, e vjedhur javën e kaluar në Tokio, iu kthye dyqanit bashkë me një letër kërkese për falje, raportuan disa media japoneze.

Incidenti ndodhi në lagjen Nakano. Një burrë, i paraqitur si klient, provoi një orë Audemars Piguet me çmim 46 milionë jen dhe u largua nga dyqani me orën ende në kyçin e dorës.

Më 1 nëntor, dyqani mori një pako që përmbante orën dhe një letër të shkruar me dorë, raportoi të hënën gazeta Asahi Shimbun, si dhe media të tjera, duke iu referuar burimeve anonime pranë hetimit.

Numri serial bëri të mundur që hetuesit të konfirmonin se bëhej fjalë për orën e vjedhur. Dyqani nuk pranoi të komentonte kur u kontaktua nga agjencia AFP. Sipas Asahi Shimbun, policia e Tokios vazhdon kërkimet për personin e dyshuar.

Në gusht, nga një dyqan tjetër në të njëjtën qendër tregtare u vodhën katër orë luksoze, me vlerë totale mbi 1.13 milion euro.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha