Davor Macura, pronari i “Alta Bank”-ës në Serbi dhe person i afërt me Aleksandar Vuçiçin, është ndaluar nën dyshimin se ka nxjerrë në mënyrë të paligjshme rreth 45 miliardë dinarë, ose afërsisht 380 milionë euro, nga kasaforta e bankës.
Prokuroria për Krim të Organizuar të Serbisë bëri të ditur më 2 nëntor se, krahas Macurës, janë ndaluar edhe dy drejtues të lartë të bankës: drejtori i departamentit që administron paratë e gatshme, G.M., dhe një tjetër zyrtar i këtij departamenti, I.P.
Sipas prokurorisë, Macura dyshohet se e ka shfrytëzuar pozitën e tij për t’i marrë paratë nga banka, me ndihmën e dy zyrtarëve të tjerë. Këta të fundit dyshohet se i kanë dhënë kartelat e tyre të hyrjes në kasafortë ose ia kanë lehtësuar hyrjen duke e shoqëruar, edhe pse ai nuk kishte leje për të hyrë aty.
Hetimi dhe procedura e ndalimit
Prokuroria njoftoi se më 31 tetor dhe 1 nëntor u kontrolluan ambientet e “Alta Bank”-ës dhe banesa e Macurës. Gjatë kontrolleve u numëruan edhe paratë e gatshme që ndodheshin në kasafortën e bankës. Tre të dyshuarit u ndaluan për 48 orë dhe pritet të merren në pyetje nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Avokati i Macurës, Isa Spahoviç, i tha Radios Evropa e Lirë se klienti i tij ka marrë vendimin për ndalim. “Nesër ai do të paraqitet para prokurorisë, e cila do t’i paraqesë detajet e rastit, përfshirë veprën penale për të cilën dyshohet, dhe do ta pyesë nëse pranon akuzat. Ai ka të drejtë të deklarohet, dhe do të shihet çfarë qëndrimi do të mbajë”, tha Spahoviç.
Ndalimi vjen vetëm disa ditë pasi Banka Qendrore e Serbisë i hoqi “Alta Bank”-ës licencën e veprimtarisë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj financiare.
Kush është Davor Macura?
Macura është biznesmen serb që e nisi veprimtarinë me një zyrë këmbimi valutor në Beograd, në vitin 2008. Më pas e zgjeroi biznesin në sektorin bankar, shërbimet financiare, pasuritë e paluajtshme dhe tregtinë.
Ai ishte përsëri në qendër të vëmendjes në tetor, kur kongresisti republikan amerikan Joe Wilson i kërkoi sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, vendosjen e sanksioneve ndaj tij dhe ndaj tre biznesmenëve të tjerë serbë, të cilët i përshkroi si të afërt me pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.
Në letrën e 14 tetorit, Wilson parashtroi pretendime se “Alta Banka” ishte e përfshirë në pastrim parash dhe kërkoi që Macurës t’i ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan. “Alta Banka” i ka refuzuar këto pretendime në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pambështetura.
Macura nuk ishte nën sanksione amerikane në kohën kur u bë kjo kërkesë. Për momentin, nuk ka informacione që dëshmojnë ndonjë lidhje midis ndalimit të tij dhe kërkesës së mëparshme për sanksione. /REL
Burimi: lajmifundit.al









