Vendimi i gjykatës ndaj B. D.
Gjykata Themelore në Gjilan e ka caktuar paraburgim 30-ditor për B. D., i dyshuar për vrasje të rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje. Ngjarja e rëndë ka tronditur fshatin Demiraj, ku kanë humbur jetën dy anëtarë të së njëjtës familje.
Masa e sigurisë u caktua sot, më 2 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan. Prokuroria po heton rrethanat e ngjarjes që ndodhi një natë më parë.
Sipas dyshimeve të ngritura nga organi i akuzës, B. D. ka vrarë djalin e tij, A. D., pas një konflikti fizik në banesën e familjes, gjatë orëve të para të 1 nëntorit.
Detajet e hetimeve
Hetimet kanë zbuluar edhe detaje të tjera të rënda. E mitura D. D. u gjet e pajetë në shtratin e babait të saj, A. D., tashmë i ndjerë, me shenja dhune dhe njolla gjaku. Sipas Prokurorisë, dyshohet se edhe vdekja e saj është shkaktuar nga babai i saj.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas vlerësimit, ekziston rreziku që i dyshuari, nëse do të lirohej, të ndikonte te dëshmitarët përmes koordinimit të deklarimeve dhe zvogëlimit të pasojave të veprimeve të tij.
Vendimi për caktimin e paraburgimit prej një muaji mund të kundërshtohet nga palët me ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Burimi: lajmifundit.al










