Sulmet ndaj gazetarëve
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shqetësohet për kërcënimet, intimidimet, sulmet dhe presionet që gazetarët hasin gjatë ushtrimit të profesionit.
AGSH thekson rrezikun që një sulm i tillë mbetet pa pasoja, pasi kjo i kërcënon lirinë e medias dhe funksionimin e demokracisë.
Thirrja për hetime dhe përgjegjësi
Asociacioni i kërkon drejtësisë dhe autoriteteve që t’i hetojnë sulmet shpejt, në mënyrë të pavarur dhe transparente, që autorët të identifikohen dhe të dalin përpara ligjit. Në të njëjtën kohë, institucionet duhet të reagojnë ndaj çdo sulmi dhe të sigurojnë kushte që gazetarët të punojnë pa frikë.
Gjithashtu, Asociacioni përkujton edhe gazetarët që kanë humbur jetën gjatë detyrës.

Deklarata e plotë:
2 Nëntor – Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve
Çdo sulm i pandëshkuar ndaj një gazetari është një kërcënim për lirinë e medias dhe për demokracinë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) kujton se siguria e gazetarëve dhe ndëshkimi i autorëve të dhunës ndaj tyre janë detyrime themelore të një shteti demokratik.
Gazetarët në Shqipëri vazhdojnë të përballen me kërcënime, intimidime, dhunë fizike dhe verbale, presione politike e ekonomike, si dhe pengesa gjatë punës. Mungesa e hetimeve efektive dhe e llogaridhënies për këto raste krijon një klimë pasigurie dhe rrezikon normalizimin e sulmeve ndaj medias.
Mosndëshkueshmëria nuk është vetëm mungesë drejtësie për një gazetar. Ajo transmeton një mesazh të rrezikshëm, se dhuna, kërcënimi dhe censura mund të vazhdojnë pa pasoja.
AGSH u kërkon institucioneve të drejtësisë dhe autoriteteve shtetërore të garantojnë hetime të shpejta, të pavarura dhe transparente për çdo sulm ndaj gazetarëve, identifikimin e autorëve dhe dërgimin e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Institucionet kanë detyrimin jo vetëm të reagojnë pas sulmeve, por edhe të krijojnë një mjedis të sigurt, ku gazetarët mund të punojnë lirshëm, pa frikën e hakmarrjes, kërcënimeve apo presioneve.
Në këtë ditë, AGSH nderon kujtimin e gazetarëve që kanë humbur jetën gjatë detyrës dhe shpreh solidaritet me çdo gazetar që është përballur me dhunë, kërcënime apo përndjekje për shkak të punës së tij.
Liria e medias nuk mund të garantohet aty ku dhuna ndaj gazetarëve mbetet e pandëshkuar.
Drejtësia për gazetarët është drejtësi për të drejtën e publikut për t’u informuar.
T’i japim fund mosndëshkueshmërisë!
Burimi: shqiptarja.com










