Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së 31 tetorit në Tiranë, duke dënuar bllokimin dhe përdorimin e dhunës ndaj gazetarëve që po raportonin nga vendngjarja.
Sipas AGSH-së, janë evidencuar të paktën dy raste kur punonjësit e Policisë nuk i kanë lejuar gazetarët të kalonin përtej kordonit policor. Po ashtu, asociacioni njofton se gazetaret e A2 CNN, Fjorela Beleshi dhe Kejda Muka, janë spërkatur me piper gjatë kryerjes së detyrës.
Një incident tjetër është shënuar ndaj gazetares së Top Channel, Elda Menga, e cila është sulmuar verbalisht nga një burrë rreth të 50-ave teksa po raportonte nga protesta.
AGSH i vlerëson këto veprime të papranueshme dhe kërkon nga Policia e Shtetit sqarime të menjëhershme, si dhe identifikimin e punonjësve përgjegjës.
“Masat e sigurisë të marra nga Policia e Shtetit nuk duhet të kthehen në mjete për të kufizuar aksesin e gazetarëve në informacion”, thekson asociacioni.
Në reagimin e tij, AGSH paralajmëron se incidentet e përsëritura gjatë protestave të fundit nuk mund të shihen më si raste të veçuara, ndërsa kërkon garantimin e sigurisë dhe të lirisë së raportimit për të gjithë punonjësit e medias.
Reagimi i AGSH-së
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka ndjekur me vëmendje protestën e zhvilluar ditën e sotme, më 31 tetor 2026, ndërsa nga raportimet në terren vijon të mbetet shqetësuese sjellja e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Deri në këto momente, AGSH ka evidencuar të paktën dy raste të bllokimit të gazetarëve nga punonjës të Policisë së Shtetit, me pretendimin se ata nuk mund të kalonin përtej të ashtuquajturit “kordon policor”.
AGSH rithekson se vendosja e kufijve të raportimit për gazetarët, veçanërisht në situata kur protestat zhvillohen në hapësira të ndryshme publike dhe ngjarjet ndryshojnë vazhdimisht vendndodhje, përbën një kufizim të pajustifikuar të lirisë së medias dhe pengon drejtpërdrejt ushtrimin e detyrës së tyre.
Masat e sigurisë të marra nga Policia e Shtetit nuk duhet të kthehen në mjete për të kufizuar aksesin e gazetarëve në informacion apo për të penguar dokumentimin e veprimeve të autoriteteve gjatë protestave.
Po ashtu, AGSH ka evidencuar përdorimin e sprajit me piper ndaj gazetareve të A2 CNN, Fjorela Beleshi dhe Kejda Muka, gjatë kryerjes së detyrës së tyre në terren.
Një incident tjetër është evidencuar ndaj gazetares së Top Channel, Elda Menga, e cila është sulmuar verbalisht nga një burrë rreth të 50-ave gjatë raportimit nga protesta. AGSH dënon këtë sjellje intimiduese ndaj gazetares dhe thekson se asnjë përfaqësues i medias nuk duhet të përballet me fyerje, kërcënime apo presione gjatë ushtrimit të profesionit, pavarësisht se nga kush vijnë ato.
AGSH e konsideron të papranueshëm përdorimin e forcës ndaj gazetarëve dhe kërkon nga Policia e Shtetit të japë sqarime të menjëhershme për incidentet e evidencuara, si dhe të identifikojë punonjësit përgjegjës.
Asociacioni rikujton se gazetarët kanë të drejtë të raportojnë lirshëm nga protestat dhe të dokumentojnë veprimet e institucioneve publike, përfshirë ato të forcave të rendit. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional, ndërsa siguria e gazetarëve duhet të garantohet në çdo rrethanë.
AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë çdo formë bllokimi, intimidimi apo përdorimi të pajustifikuar të forcës ndaj përfaqësuesve të medias. Njëkohësisht, u bën thirrje protestuesve dhe qytetarëve të respektojnë punën e gazetarëve dhe të shmangin çdo formë agresioni verbal apo fizik ndaj tyre.
Pas incidenteve të përsëritura gjatë protestave të javëve të fundit, AGSH vlerëson se këto raste nuk mund të trajtohen më si ngjarje të veçuara. Mungesa e përgjegjësisë për incidentet e mëparshme rrezikon të krijojë një klimë pandëshkueshmërie dhe të cenojë më tej sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.
Burimi: lajmifundit.al



