Një përplasje në ajër midis dy helikopterëve, ndërsa po përpiqeshin të uleshin në zonën e malit Everest, në Nepal, përfundoi me rrëzimin e të dyjave. Një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos. Policia beson se i ndjeri ishte shtetas indian.
Duke folur për agjencinë e lajmeve AFP, shefi i policisë së distriktit Solukhumbu, Nabin Raja Budhathoki, njoftoi se një person ndërroi jetë në vendngjarje. Personi tjetër u transportua në spital për trajtim mjekësor.
Në rrjetet sociale po qarkullojnë video që kanë regjistruar momentin kur dy helikopterët u përplasën gjatë këtij aksidenti tragjik.
Helikopterët përdoren shpesh në Himalaje për transportimin e turistëve dhe alpinistëve, si dhe për dërgimin e furnizimeve. Ata marrin pjesë gjithashtu në misione kërkimi dhe shpëtimi.
Terreni malor i vështirë, së bashku me motin që ndryshon në mënyrë të paparashikueshme, e bën fluturimin në këtë rajon veçanërisht të rrezikshëm.
Si një nga destinacionet kryesore në botë për alpinistët, Nepali tërheq mijëra turistë çdo vit. Në territorin e tij ndodhen tetë nga 14 malet më të larta në botë, ndër to edhe Everesti.
Burimi: www.albeu.com









