Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Platforma Save Youth kundër bullizmit, Gogu: Nxënësit kërkojnë më lehtë ndihmë

Platforma Save Youth kundër bullizmit, Gogu: Nxënësit kërkojnë më lehtë ndihmë
Foto: reporteri.al

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ „Save Youth” është një platformë e re në internet, e krijuar për të lehtësuar raportimin e bullizmit, ngacmimeve dhe rasteve të dhunës në shkolla.

Iniciativa është propozuar nga vetë nxënësit dhe është zhvilluar nga Agjencia për Inovacion, me ndërmjetësimin e Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR).

Platforma u paraqit në gjimnazin „Sevasti Qiriazi”, ku mori pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

„Kundër bullizmit, me një mënyrë të re për të kërkuar ndihmë! Platforma e bën më të lehtë raportimin e bullizmit, ngacmimeve dhe dhunës në shkolla, në mënyrë që nxënësit të kërkojnë ndihmë më lehtë dhe të ndihen të dëgjuar”, u shpreh Gogu.

Ministri nënvizoi se „teknologjia nuk e zëvendëson marrëdhënien njerëzore, mbështetjen e shokut, prindit, mësuesit apo psikologut, por ndërton një urë drejt tyre, veçanërisht për fëmijët që kanë vështirësi të flasin”.

Pas një faze testimi dhe vlerësimit të ndikimit, synohet që platforma të zgjerohet edhe në shkolla të tjera të Tiranës.

„Të dëgjosh të rinjtë është detyrim, t’i kthesh idetë e tyre në zgjidhje është përgjegjësi. Sepse asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i vetëm përballë bullizmit”, shkruan Gogu.

/m.q/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha