Një gabim gjatë punës në një depo industriale në Spanjë çoi në zbulimin e një prej ngarkesave më të mëdha të kokainës në historinë e vendit. Rreth 10 tonë droge dyshohet se ishin fshehur në dy depo në qytetin Águilas, në rajonin e Murcias.
Zbulimi në depo
Gjithçka filloi më 30 tetor, kur një punëtor po zhvendoste paleta me një pirun ngritës. Gjatë manovrimit, një nga paletat u rrëzua dhe u dëmtua, duke e lënë në pamje paketat e kokainës të fshehura brenda saj.
Pas incidentit, punëtori u largua nga objekti, ndërsa piruni ngritës mbeti i ndezur pranë hyrjes së depos.
Policia lokale u njoftua fillimisht për një aksident të mundshëm në vendin e punës. Megjithatë, kur zyrtarët arritën në objekt, nuk gjetën asnjë person. Gjatë kontrollit të paletës së dëmtuar, zbuluan paketat që dyshohej se përmbanin drogë.
Hetimin e mori më pas Garda Civile spanjolle, e cila gjatë kontrolleve identifikoi edhe një depo të dytë në të njëjtën zonë industriale.
Në depon e parë u numëruan më shumë se pesë tonë kokainë, ndërsa pas zbulimit të objektit të dytë, sasia e përgjithshme u vlerësua rreth 10 tonë. Pesha përfundimtare ende pritet të konfirmohet.
Dyshimet për një organizatë kriminale shqiptare
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që pas ngarkesës të qëndrojë një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e dyshuar për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Dy depot dyshohet se janë përdorur për magazinimin e drogës dhe përgatitjen e saj për shpërndarje. Një nga linjat e hetimit është transportimi i kokainës me kamionë drejt destinacioneve të ndryshme në Spanjë dhe vende të tjera evropiane.
Vlera e ngarkesës në tregun e zi vlerësohet nga 130 deri në 145 milionë euro, nëse konfirmohet sasia e parashikuar.
Deri në raportimet e fundit, autoritetet nuk kishin bërë publik emrat e personave të dyshuar dhe nuk ishte raportuar për arrestime. Hetimi i Gardës Civile vazhdon për të zbuluar origjinën e drogës, personat që qëndrojnë pas rrjetit dhe destinacionin e ngarkesës.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm deri në momentin kur fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Burimi: insajderi.org









