Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën në mbledhjen e saj të nëntë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh. Pas miratimit në Qeveri, projektligji duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.
Kryeministri Albin Kurti tha se buxheti i projektuar për vitin e ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i këtij viti. Sipas tij, 908 milionë euro nga shuma e përgjithshme do të shkojnë si financim direkt për komunat e Kosovës.
“Nga ky buxhet 908 milionë euro do të shkojnë për komunat. Është buxhet rekord për komunat”, tha Kurti, duke vlerësuar se rritja e vazhdueshme e granteve qeveritare qëndron pas rritjes së financimit për pushtetin lokal.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. “Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi ai.
Kurti shtoi se në projektbuxhetin për vitin 2027 parashikohet që Administrata Tatimore e Kosovës të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e atyre që do t’i mbledhë Dogana e Kosovës.
Paga e 13-të dhe rritja e koeficientit nga 1 korriku 2027
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektbuxheti parashikon pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik, si dhe rritjen e koeficientit të pagave. “Nga data 1 korrik 2027, punonjësve që marrin paga nga sektori publik, koeficienti i pagave nga 110 u bëhet 120”, u shpreh Murati.
Sipas Kurtit, buxheti i përgjithshëm për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro. E ndarë për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, kjo shumë jep një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj. Ai theksoi se rritja e pagave nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Në njoftimin zyrtar të Qeverisë u bë e ditur se nga 1 korriku 2027 do të rritet koeficienti i pagave në sektorin publik, ndërsa nga 1 janari 2027 do të rriten shtesat e fëmijëve prej 25 për qind.
Kurti tha se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synim që deri në janar të vitit 2030 ato të dyfishohen. “Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25 për qind, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25 për qind, në janar 2029 përsëri 25 për qind dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Sipas shembullit të dhënë, shtesa për një fëmijë është aktualisht 30 euro në muaj dhe me rritjen prej 25 për qind, nga 1 janari 2027, bëhet 37.50 euro, apo 7.50 euro më shumë në muaj. Një familje me dy fëmijë që tani merr 60 euro, nga janari do të marrë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë që merr 180 euro do të marrë 225 euro.
Investime kapitale, mbështetje për ekipet mbrojtëse dhe vendime të tjera
Kurti tha se për herë të parë buxheti parashikon mbi 1 miliard euro në kategorinë e investimeve kapitale. Sipas tij, në këtë përfshihen ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë, autoudha e Dukagjinit dhe shumë rrugë të tjera, linja për kompletimin e infrastrukturës sportive për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe themelimi i një aviokompanie kombëtare. Ai përmendi gjithashtu ndërtimin e digave dhe investime në turizëm.
Kryeministri njoftoi se në buxhet është parashikuar edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për ndarjen e 300 mijë eurove për organizimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror – Davos, me “Kosova House”, si dhe vendimi për ndarjen e 24 mijë eurove për Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, për organizimin e Forumit të tretë gjermano-kosovar, të mbajtur nga 28 deri më 30 tetor 2026.
Qeveria miratoi edhe Raportin Nëntëmujor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, për periudhën janar – shtator 2026. Sipas raportit, pranimet gjithsej arritën në 2 miliardë e 832.77 milionë euro, ndërsa shpenzimet gjithsej në 2 miliardë e 623.51 milionë euro.
Në mbledhje u miratua edhe Koncept-dokumenti për Gjuhën e Shenjave në Republikën e Kosovës, si dhe kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për ndarjen e 200 mijë eurove për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që përfshin hartimin e akteve nënligjore për themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Mjetet do të merren nga shpenzimet e subvencioneve, njoftoi ministri i Financave.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, bëri të ditur se nga buxheti prej 4.27 miliardë eurosh, 52.3 milionë euro janë ndarë për Ministrinë e Drejtësisë.
Kritikat e opozitës dhe të njohësve të ekonomisë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, kritikoi projektbuxhetin për vitin 2027, duke thënë se rritja nominale e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor nuk pasqyron gjendjen reale ekonomike të qytetarëve. Ajo shkroi se nga viti 2021 deri më sot çmimet janë rritur për rreth 34 për qind.
“Sot, mund të marrim më shumë euro, por blejmë shumë më pak se në vitin 2021. Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve. Fundja sikur të kishte mirëqenie nuk e kishin lshu vendin rreth 250 mijë qytetarë nga vitit 2021”, shkruan ajo.
Edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kritikoi politikat ekonomike të Qeverisë, duke thënë se rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave për fëmijë nuk mund të shihet e ndarë nga rritja e çmimeve dhe vështirësitë e qytetarëve për të përballuar koston e jetesës. Ai ngriti shqetësime për ndikimin e politikave shtetërore në ekonominë e vendit dhe vuri në dukje se Kosova po përballet me një nivel të lartë të inflacionit, pavarësisht se përdor euron si valutë.
“Vështirë është me u kritiku rritja e pagave, shtesat për fëmijë e pensionet. Pak ka njerëz që nuk i gëzohen këtyre lajmeve. Por në të njëjtën kohë çmimet po rriten dhe përballimi me koston e jetës çdo ditë po bëhet më i vështirë”, ka shkruar Ahmeti.
Burimi: kohajone.com










