Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Zhurmat e trafikut dëmtojnë zemrën, jo vetëm ndotja e ajrit

Zhurmat e trafikut dëmtojnë zemrën, jo vetëm ndotja e ajrit
Foto: reporteri.al

ROMË, 3 nëntor/ATSH/ – Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmës së fortë të trafikut, e cila vjen nga automjetet, autobusët, avionët dhe trenat, mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe të shkaktojë probleme serioze për shëndetin e zemrës.

Sipas një studimi të ri, zhurma e trafikut shoqërohet me rritjen e faktorëve të rrezikut kardiovaskular, ndër to kolesterolin e lartë, hipertensionin dhe diabetin.

Ndërkohë, këto pasoja negative nuk duket se zbuten as nga zakonet e rregullta dhe të shëndetshme të gjumit.

Metodologjia e studimit

Studimi, që do të prezantohet në kongresin e Shoqatës Amerikane të Zemrës në Çikago, është realizuar nga një ekip kardiologësh të „Massachusetts General Hospital”.

Studiuesit analizuan të dhënat e 108 051 të rriturve, me moshë mesatare 57 vjeç, të regjistruar në databazën „Massachusetts General Brigham Biobank”, gjatë periudhës 2010–2020.

Ekspozimi ndaj zhurmës së transportit u vlerësua përmes matjes së nivelit mesatar të zhurmës gjatë 24 orëve, në afërsi të banesave të pjesëmarrësve.

Rezultatet e studimit

Rezultatet treguan se 33% e pjesëmarrësve ishin të ekspozuar ndaj niveleve të zhurmës mbi 50 decibel, ndërsa 54,5% ndaj niveleve mbi 45 decibel.

Për krahasim, një nivel prej 45–50 decibelësh është i ngjashëm me zhurmën e një shiu mesatar.

Sipas studimit, ekspozimi ndaj zhurmës mbi 50 decibel lidhet me një rritje prej 8–10% të rrezikut për zhvillimin e faktorëve kryesorë të sëmundjeve të zemrës, si kolesteroli i lartë, hipertensioni dhe diabeti.

Gjithashtu, ky nivel ekspozimi u shoqërua me një probabilitet më të lartë për ngjarje të rënda kardiovaskulare.

Autori kryesor i studimit, Joseph Nguyen, theksoi se lidhja ndërmjet ekspozimit ndaj zhurmës dhe problemeve kardiovaskulare ishte e ngjashme, pavarësisht cilësisë dhe rregullsisë së gjumit.

Sipas tij, rezultatet sugjerojnë se gjumi i rregullt nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme ndaj efekteve negative që zhurma e vazhdueshme mund të ketë në shëndetin e zemrës.

Studiuesit nënvizojnë rëndësinë e vëmendjes ndaj ndotjes akustike si faktor mjedisor që mund të ndikojë në shëndetin kardiovaskular. /os/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha