Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës

PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës
Foto: reporteri.al

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Kërkesa për dorëheqje të ministrave

Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj ka deklaruar se Gërvalla-Schwarz, ndonëse ka pranuar dështimet institucionale në këtë rast, nuk ka marrë përgjegjësinë politike që i takon në cilësinë e ministres dhe Koordinatores Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes. Asnjë funksion, asnjë post dhe asnjë pushtet politik nuk vlen më shumë se jeta e një qytetareje të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.

Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kërkojë dorëheqjen e dy ministrave, ndërsa në rast se ata refuzojnë, t’i shkarkojë.

“Ndarja e pushteteve nuk është ndarje nga përgjegjësia! Koordinimi nuk është titull ceremonial. Është përgjegjësi për të identifikuar mangësitë, për të kërkuar veprim dhe për të siguruar që mekanizmat e mbrojtjes të funksionojnë”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së ka paralajmëruar gjithashtu se do të angazhohet për zbardhjen e plotë të përgjegjësive institucionale përmes komisionit hetimor të themeluar për këtë rast.

“Arlindën nuk mund ta kthejmë. Por kemi një detyrim ndaj saj, ndaj familjes së saj dhe ndaj çdo gruaje e vajze në Republikën e Kosovës. Që vdekja e saj të mos përfundojë si një tjetër raport në arkivat e institucioneve”.

“Arlinda nuk kërkoi privilegj. Kërkoi atë që Kushtetuta dhe ligjet ia garantojnë çdo qytetari: mbrojtjen e jetës dhe sigurinë. Prandaj, sot kërkojmë përgjigje: Kush e dinte? Kur e dinte? Kush kishte detyrimin të vepronte? Dhe pse nuk veproi?”, ka shtuar Kabashi-Ramaj.

Përgjegjësia e ministrit Sveçla dhe e Policisë

Ajo ka theksuar se dorëheqja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, nuk e përjashton ministrin Xhelal Sveçla nga përgjegjësia politike për dështimet e njëpasnjëshme në këtë institucion.

“Gazmend Hoxha ka përgjegjësinë e vet. Ajo duhet të shqyrtohet deri në fund. Por drejtori i Policisë nuk mund të bëhet kurban i frikës së ministrit të tij për t’u përballur me përgjegjësinë politike. Nëse ministri e konsideron dorëheqjen të arsyeshme për drejtuesin e Policisë, duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse përgjegjësia ndalet pikërisht te dera e zyrës së tij. Ministri nuk është penalisht përgjegjës për çdo veprim të një zyrtari policor. Por është politikisht përgjegjës për politikat, kushtet dhe drejtimin institucional në fushën që e udhëheq”, ka theksuar deputetja e PDK-së.

Si shembull të keqmenaxhimit në Policinë e Kosovës, Kabashi-Ramaj ka përmendur edhe anulimin e ceremonisë së diplomimit të 300 policëve të rinj, për shkak të mungesës së uniformave.

“Nuk mund t’i marrësh meritat për sukseset dhe t’ua lësh vartësve të gjithë përgjegjësinë për dështimet!”, ka deklaruar ajo.

Në fund, deputetja e PDK-së ka thënë se shteti nuk mund të pretendojë se është i sigurt, i drejtë dhe demokratik përderisa gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta në shtëpitë dhe komunitetet e tyre, madje as kur kërkojnë ndihmë nga institucionet.

“Sepse dikush duhet ta japë sinjalin se mjaft është mjaft! Mjaft me arsyetime pas tragjedive! Mjaft me raporte që identifikojnë dështime, por nuk sjellin përgjegjësi! Mjaft me institucione që reagojnë vetëm pasi një grua ka humbur jetën!”, ka përfunduar Kabashi-Ramaj.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha