TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Shqipëria pritet të ketë një kuadër të ri ligjor për zhvillimin dhe administrimin e turizmit, përmes një projektligji që zëvendëson ligjin aktual “Për turizmin”, të ndryshuar, duke sjellë rregulla të reja për strukturat akomoduese, investimet, agjencitë turistike, administrimin e plazheve dhe mbrojtjen e vizitorëve.
Projektligji, i hartuar dhe i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon konsolidimin e legjislacionit ekzistues, përshtatjen e tij me zhvillimet e tregut dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
Regjistrimi i njësive akomoduese dhe kategorizimi
Një nga risitë kryesore është regjistrimi i detyrueshëm nëpërmjet e-Albania i njësive akomoduese për qëndrime afatshkurtra, si apartamente, vila dhe dhoma që jepen me qira, të cilat do të pajisen me kod unik identifikimi.
Ndryshime parashikohen edhe në kategorizimin dhe klasifikimin e strukturave akomoduese. Certifikata e kategorizimit do të jetë pa afat, për sa kohë plotësohen kriteret ligjore, ndërsa ajo e klasifikimit do të ketë vlefshmëri tetëvjeçare, me të drejtë rinovimi. Projektligji njeh gjithashtu forma të reja akomodimi, si hotelet e shpërndara, resortet mikse dhe strukturat e menaxhuara.
Në fushën e investimeve parashikohen forma partneriteti publik-privat, vënia në dispozicion e pasurive shtetërore dhe mbështetja me infrastrukturë e zonave me përparësi turizmin. Përcaktohen edhe kriteret për përfitimin e statusit të veçantë për investimet në struktura akomoduese me katër ose pesë yje.
Plazhet, agjencitë turistike dhe mbrojtja e konsumatorëve
Projektligji zgjeron rolin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në promovimin dhe organizimin e aktiviteteve turistike, ndërsa Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të ketë përgjegjësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare dhe monitorimin e plazheve. Për stacionet e plazhit përcaktohen detyrime për sigurinë, higjienën, cilësinë e shërbimeve dhe garantimin e aksesit publik.
Një tjetër masë është pezullimi sezonal i punimeve të ndërtimit në zonat turistike, me synim mbrojtjen e sezonit dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve. Rregulla të reja parashikohen edhe për udhërrëfyesit turistikë, agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe transportin turistik, përfshirë shërbimet panoramike “Open Bus” dhe “Hop-on Hop-off”.
Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve, projektligji parashikon ngritjen e Zyrës për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve, pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, për trajtimin jashtëgjyqësor të konflikteve ndërmjet turistëve dhe subjekteve që ofrojnë shërbime turistike.
Në fushën e digjitalizimit parashikohet krijimi i Sistemit të të Dhënave në Turizëm, ku do të përfshihen Regjistri Qendror i Turizmit, Regjistri Kombëtar i Burimeve Turistike dhe moduli elektronik e-Visitor. Për ngritjen e platformës është propozuar një financim prej 300 milionë lekësh në kuadër të programimit buxhetor për vitin 2027.
Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për regjistrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike, si dhe ngritjen e Komisionit Kombëtar të Shtigjeve Turistike, me synim zhvillimin e turizmit të natyrës dhe rritjen e sigurisë së vizitorëve.
Nisma synon përafrimin me legjislacionin e BE-së për shërbimet dhe paketat e udhëtimit, si dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të CEFTA-s.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri do të shfuqizohet ligji aktual nr. 93/2015 “Për turizmin”, i ndryshuar. Aktet nënligjore për zbatimin e tij parashikohet të miratohen brenda nëntë muajve, ndërsa ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/k.s/j.p/
Burimi: ata.gov.al









