Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

BE fut tarifë të re për pakot që hyjnë në treg, përfshirë blerjet online nga Kina

BE fut tarifë të re për pakot që hyjnë në treg, përfshirë blerjet online nga Kina
Foto: euronews.al

Nga data 1 nëntor, Bashkimi Evropian do të fillojë të zbatojë një tarifë të re prej 2 eurosh për çdo pako që hyn në tregun e përbashkët, pa marrë parasysh vlerën e saj. Kjo masë ka për qëllim të mbulojë shpenzimet e përpunimit dhe të kontrolleve doganore, në një periudhë kur importet me çmime të ulëta nga Kina vijojnë të rriten ndjeshëm.

Tarifa shtesë dhe taksa e përkohshme

Tarifa e re do të zbatohet paralelisht me taksën prej 3 eurosh, e cila hyri në fuqi në korrik për pakot me vlerë nën 150 euro. Kjo e fundit është një masë e përkohshme dhe do të mbetet në fuqi deri në vitin 2028, kur pritet të jetë funksional sistemi i ri doganor i bazuar në teknologjinë e informacionit.

Vendimi vjen si përgjigje ndaj rritjes së importeve përmes platformave të tregtisë online si Temu, Shein dhe AliExpress, të cilat kanë sjellë një fluks të madh produktesh me kosto të ulët në tregun evropian.

Sipas një zyrtari të BE-së, taksat synojnë të garantojnë konkurrencë të barabartë për të gjitha mallrat që hyjnë në tregun evropian, ndërsa tarifa e re do të shërbejë për të përballuar kostot shtesë që krijon tregtia elektronike për autoritetet doganore.

Ndikimi në importe dhe shpërndarja e të ardhurave

Pagesa prej 2 eurosh do të mbulohet nga platformat, shitësit ose transportuesit dhe do të mblidhet nga 27 shtetet anëtare. Nga të ardhurat e siguruara, 75% do të kalojnë në buxhetin e Bashkimit Evropian, ndërsa 25% do të mbeten për vendet anëtare.

Ndërkohë, taksa prej 3 eurosh e vendosur në korrik duket se ka ndikuar në uljen e importeve. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, gjatë periudhës korrik-shtator numri i pakove të vogla që hynë në BE ra me 60%.

Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, fluksi mbetet i lartë. Sipas Komisionit Evropian, rreth 5 milionë pako vazhdojnë të hyjnë çdo ditë në tregun e Bashkimit Evropian.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha