Adele dhe partneri i saj prej vitesh, Rich Paul, mund të kenë kurorëzuar martesën në fshehtësi. Një deklaratë e bërë së fundmi nga agjenti sportiv ka ngjallur dyshime se çifti e ka zyrtarizuar dashurinë e tyre, pa e bërë ende publik lajmin.
Deklarata e Rich Paul
Gjatë një interviste për “The Media Haus Co.”, Rich Paul u përgjigj disa pyetjeve gjatë një loje me fjalë. Kur u pyet se kur e kishte zgjidhur për herë të fundit një lojë të tillë, ai u përgjigj:
“Ka kaluar shumë kohë. Por bashkëshortja ime e zgjidh çdo ditë, çdo mëngjes.”
Pikërisht përdorimi i fjalës “bashkëshortja” ka nxitur spekulimet se ai i referohej këngëtares Adele dhe se dyshja mund të jetë martuar.
Historiku i lidhjes
Adele dhe Rich Paul u shfaqën për herë të parë së bashku në korrik të vitit 2021, në ndeshjen e pestë të finales së kampionatit amerikan të basketbollit NBA. Në atë kohë, mediat raportuan se ata ishin në një lidhje prej disa muajsh.
Në vitin 2024, këngëtarja konfirmoi se ishte fejuar me Rich Paul. Gjatë një koncerti në Mynih të Gjermanisë, në muajin gusht, një fans i kërkoi asaj të martohej me të, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej propozimi.
“Nuk mund të martohem me ty, sepse tashmë po martohem”, ishte përgjigjja e Adele, e cila në atë moment konfirmoi fejesën.
Pavarësisht lidhjes së tyre të gjatë, çifti ka preferuar ta mbajë jetën private larg vëmendjes së publikut, duke u shfaqur vetëm herë pas here në aktivitete të ndryshme dhe duke folur me konsideratë për njëri-tjetrin në intervista.
Në një intervistë për revistën “Vogue”, në vitin 2021, Adele tregoi se ajo dhe Rich Paul kishin qenë miq përpara se marrëdhënia e tyre të shndërrohej në një histori dashurie.
Ajo rrëfeu se ai kishte qenë gjithmonë pranë saj, por se në fillim nuk e kishte parë në atë mënyrë. Këngëtarja kujtoi edhe takimin e tyre të parë në një festë, ku me humor i kishte kërkuar ta përfaqësonte si sportiste.
Adele theksoi gjithashtu se Rich Paul e bënte të ndihej e qetë dhe e sigurt, duke e cilësuar atë si një person që e di se çfarë dëshiron nga jeta.
Këngëtarja është nëna e një djali, Angelo, i lindur në tetor të vitit 2012, nga martesa e mëparshme me Simon Konecki. Çifti u nda në vitin 2019 dhe divorci u finalizua në mars të vitit 2021. Ndërsa Rich Paul është baba i tre fëmijëve.
Burimi: anabelmagazine.com









