Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Sekreti shtetëror i një shteti pa sekrete

Sekreti shtetëror i një shteti pa sekrete
Foto: gazetadita.al

Nga Fatos Tarifa

E keni dëgjuar?

Arsyeja pse z. Veliaj u transferua nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit është një “sekret shtetëror”!

Një sekret shtetëror në një shtet që nuk ka sekrete.

Në një shtet ku secili di gjithçka për këdo.

Në një vend ku shumë njerëz dinë edhe gjëra që nuk i dinë.

Në një shtet ku asnjë sekret nuk mbetet i tillë sapo del nga një gojë ose shkruhet në një dokument.

Në një vend ku as SHISH-i nuk është i sigurt nëse sekretet që mban mbeten të fshehta.

Në një shtet ku ministri i Drejtësisë nuk e di atë që drejtoresha e përgjithshme e burgjeve, vartëse e drejtpërdrejtë e tij, e di dhe e shpall “sekret shtetëror”.

Pra, si mund të jenë kaq të paturpshëm ky shtet dhe këta zyrtarë, sa t’i vënë emërtimin “sekret shtetëror” edhe një veprimi që, siç thotë populli, “ia bën muuuu!”?

Preteksti i sekretit shtetëror

Nën pretekstin e “sekretit shtetëror”, qeveria mund t’i bëjë çfarë të dojë çdo qytetari — edhe mua që flas e shkruaj, edhe fqinjit tim që komenton në shtyp a në televizion, edhe një studenti që proteston, edhe një tjetri që e përkrah atë student — pa pasur nevojë t’i japë shpjegime askujt.

Sepse sekreti shtetëror mbetet sekret.

Nuk ka nevojë të jepet shpjegim. Nuk ka nevojë të informohet askush.

Nuk ka nevojë as të dihet kush vendos dhe mbi çfarë baze vendos.
Mjafton të thuhet: “Sekret shtetëror!” E di shteti.

Dhe shteti, që duhet t’u japë llogari qytetarëve, u kërkon atyre të heshtin.

A nuk thoshte Stalini “S’ka informacion, s’ka problem” (Нет информации — нет проблемы)?

Në rastin e vendimit për transferimin e z. Veliaj, kjo thënie famëkeqe, epitomë e mendësisë bolshevike, mund të lexohet: “S’ka shpjegim, s’ka përgjegjësi!”

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha