Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Gjykata bllokon rihapjen e Lotarisë Amerikane për vitin 2027

Gjykata bllokon rihapjen e Lotarisë Amerikane për vitin 2027
Foto: abcnews.al

Shpresa për rihapjen e Lotarisë Amerikane (Green Card) për vitin 2027 është pezulluar sërish.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë në SHBA ka bllokuar përkohësisht vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte urdhëruar administratën amerikane të rihapte regjistrimet për programin e vizave të diversitetit.

Vendimi i marrë më 29 tetor i jep mundësi administratës Trump ta mbajë të pezulluar programin, ndërsa vijon shqyrtimi i ankimit të saj.

Gjykata e Apelit nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen dhe as nuk miratoi vendimin e Departamentit të Shtetit për mosçeljen e regjistrimeve. Ajo argumentoi se subjekti që kishte ngritur padinë, një studio ligjore imigracioni, nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të kundërshtuar këtë vendim.

Padia e studios ligjore dhe vendimi i gjyqtares Ohta

Çështja nisi pas padisë së ngritur nga studioja ligjore Red Eagle Law, e cila kërkoi që Departamenti i Shtetit të detyrohej të hapte regjistrimet për programin DV-2027.

Më 14 tetor, gjyqtarja federale Jinsook Ohta kishte vendosur në favor të paditësit, duke urdhëruar autoritetet amerikane të shpallnin periudhën e regjistrimit deri më 29 tetor dhe ta hapnin atë më 1 nëntor. Lotaria Amerikane, e njohur si Diversity Visa Program, parashikon shpërndarjen e deri në 55 mijë vizave në vit për shtetasit e vendeve me nivele të ulëta emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.

Për momentin, regjistrimet për DV-2027 mbeten të mbyllura dhe nuk është shpallur një datë e re për hapjen e tyre. Procesi gjyqësor pritet të vijojë në Gjykatën e Apelit.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha