Emiliano Martínez ka treguar se gishti unazor i dorës së djathtë nuk i përkulet më plotësisht, sepse e kishte thyer pak para fillimit të Kupës së Botës. Portieri i kombëtares së Argjentinës thotë se kjo pasojë do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Gjatë një bisede me gazetarin argjentinas Gaston Edul, Martínez tregoi dorën e dëmtuar. Videoja e kësaj bisede u publikua më pas në rrjetet sociale.
Në pamjet e publikuara shihet qartë se portieri nuk arrin ta mbyllë plotësisht grushtin, për shkak të dëmtimit në gishtin unazor.
“Ende nuk mund ta përkul siç duhet. Kështu më mbeti pas Kupës së Botës dhe do të jetë kështu për pjesën tjetër të jetës sime”, u shpreh Martinez, teksa tregonte gishtin e dëmtuar.
Portali argjentinas Diario Pampero raporton se lëndimi ndodhi disa javë para fillimit të Kupës së Botës, kur Martínez ishte pjesë e Aston Villës.
Gazetari Gaston Edul dhe qëllimi i videos
Gazetari Gaston Edul shpjegoi se publikimi i videos kishte si qëllim të tregonte se Martínez e kishte zhvilluar të gjithë kampionatin botëror me gisht të thyer, duke i dhënë publikut një ide më të qartë për seriozitetin e dëmtimit.
Siç ka raportuar më herët El Intransigente, portieri kishte deklaruar se gishti i shkakton dhimbje çdo ditë, por se kishte zgjedhur të mos i nënshtrohej një operacioni.
Këshillat e specialistëve dhe vendimi për operacionin
Martinez ka treguar se specialistë të duarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia e kishin këshilluar të mos vazhdonte të luante dhe i kishin thënë se kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Pavarësisht këtyre rekomandimeve, ai vendosi ta shtynte operacionin për të qenë i gatshëm dhe për të mos e humbur Kupën e Botës.
Burimi: www.albeu.com









