Në kulmin e formës së tij më të mirë si futbollist profesionist, mbrojtësi i Egnatias, Eljon Sota, pësoi një lëndim të rëndë në ndeshjen kundër Teutës. Në fillim të pjesës së dytë, futbollisti 28-vjeçar u detyrua të dilte nga fusha me barelë.
Dëmtimet e Eljon Sotës
Sipas informacioneve të “Kubit Sportiv”, Sota ka pësuar lëndime në tri zona të këmbës: thyerje të kaviljes, këputje të ligamentit dhe frakturë të fibulës.
Mbrojtësi po zhvillonte një sezon shumë të mirë, ndërsa në tribunë ishte i pranishëm edhe trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, i cili kishte shkuar në stadium për ta ndjekur nga afër lojtarin 28-vjeçar. Pas këtij lëndimi, Sota e ka përfunduar sezonin.
Egnatia ka kryer rezonancën magnetike dhe tani është në pritje të rezultatit të ekzaminimit. Megjithatë, burime pranë klubit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një ndërhyrje kirurgjikale të rrallë, e cila pritet të kryhet jashtë vendit.
Gjesti i presidentit të Teutës
Ndërkohë, për t’u vlerësuar është edhe gjesti i presidentit të Teutës, Fatos Troplini. Pas ndeshjes, ai i kërkoi zëdhënësit të Egnatias, Xhevdet Zekaj, që ta shoqëronte për të takuar Eljon Sotën dhe për t’i uruar shërim nga afër.
“Dua t’i uroj shërim nga afër”, ishte fjalia e Troplinit. Një gjest i thjeshtë, por me kuptim të madh. Së bashku u nisëm për ta takuar Sotën, por drejtori Klejdi Zenelaj na shpjegoi se ai ishte larguar tashmë. Z. Fatos mori informacion të plotë dhe më pas u largua”, shkruan Zekaj.
Burimi: euronews.al










