Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Meta nën hetim për praktikat tregtare

Meta nën hetim për praktikat tregtare
Foto: reporteri.al

LONDËR, 30 tetor /ATSH/- Autoriteti Britanik i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) ka nisur një hetim ndaj kompanisë “Meta”, me qëllim që të vlerësojë nëse kushtet e reja tregtare për botuesit e lajmeve dhe bizneset që përdorin platformat e saj përbëjnë shkelje të rregullave të konkurrencës, sipas “Euronews”.

Hetimi fokusohet te kushtet që mund t’i mundësojnë kompanisë mëmë të “Facebook” dhe “Instagram” të grumbullojë përmbajtje nga faqet e internetit të botuesve dhe bizneseve dhe ta shfrytëzojë atë për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të veta, përfshirë funksionet e inteligjencës artificiale, pa u ofruar këtyre bizneseve mundësinë të vendosin nëse dhe si do të përdoret përmbajtja e tyre.

Vlerësimi i pozitës dominuese të “Meta”-s

Sipas CMA-së, kërkesa që botuesit dhe bizneset e tjera të pranojnë këto kushte mund të përbëjë vendosje të padrejtë të kushteve tregtare për mijëra kompani britanike, që mbështeten te platformat e “Meta”-s për të arritur klientët dhe audiencat e tyre.

Autoriteti britanik do të shqyrtojë nëse “Meta” zotëron një pozitë dominuese në një treg përkatës në Britaninë e Madhe dhe, nëse kjo vërtetohet, nëse kushtet e saj përbëjnë abuzim me këtë pozitë, në kundërshtim me ligjin britanik të konkurrencës të vitit 1998.

“Meta” kishte planifikuar të zbatonte kushtet e reja më 30 tetor, por pas diskutimeve me autoritetin britanik, e shtyu fillimisht zbatimin e tyre deri më 20 nëntor.

Më pas, më 28 tetor, kompania njoftoi se do ta pezullonte zbatimin e ndryshimeve deri në përfundimin e konsultimeve me grupet e industrisë dhe përfaqësuesit e bizneseve.

Drejtoresha ekzekutive e CMA-së, Sarah Cardell, deklaroi se platformat digjitale kanë një rol të rëndësishëm për bizneset, por kompanitë që zotërojnë pozitë dominuese në treg nuk duhet ta përdorin atë për të imponuar kushte të padrejta.

Ajo theksoi se autoriteti po vepron për të shqyrtuar nëse ndryshimet e propozuara nga “Meta” mund të shkelin ligjin e konkurrencës dhe se synon të arrijë një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes.

Qëndrimi i kompanisë “Meta”

Nga ana e saj, “Meta” deklaroi se nuk ka arsye për hapjen e një hetimi të tillë.

Një zëdhënës i kompanisë tha se ajo është angazhuar të mos ndryshojë kushtet tregtare pa u konsultuar më parë me botuesit dhe palët e tjera të interesuara.

Kompania shtoi se mirëpret mundësinë për t’ia shpjeguar qëndrimin e saj autoritetit britanik.

CMA bëri të ditur se hetimi është në fazën fillestare dhe se ende nuk ka marrë një vendim nëse “Meta” ka shkelur ligjin.

Autoriteti do të mbledhë dhe shqyrtojë prova nga kompania dhe palët e treta që preken nga këto kushte.

Veçmas, autoriteti britanik po kërkon informacion nga “Meta” edhe për shërbimin e ri me pagesë për bizneset, “Meta One”.

Shqetësimet lidhen me ndikimin që mund të ketë ky shërbim te bizneset e vogla, që publikojnë lidhje drejt faqeve të jashtme në “Facebook” dhe “Instagram” pa paguar një abonim.

Për këtë çështje, CMA nuk ka vendosur ende nëse do të nisë një procedurë zyrtare. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha