Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Alarm në Zvicër për blerjen online të cigareve elektronike nga të miturit

Alarm në Zvicër për blerjen online të cigareve elektronike nga të miturit
Foto: abcnews.al

Mbrojtja e konsumatorëve në Zvicër ka njoftuar se disa dyqane online po u lejojnë të miturve të blejnë cigare elektronike me nikotinë, edhe pse ligji e ndalon këtë.

Testblerjet e kryera në 22 dyqane online kanë zbuluar dobësi të mëdha në verifikimin e moshës, duke shkaktuar shqetësime për mbrojtjen e të rinjve nga produktet që shkaktojnë varësi.

Nga ana e organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve, të miturit kanë mundur të porosisin produkte me nikotinë duke futur të dhëna të gabuara për datën e lindjes.

Kontrollet e moshës në dyqanet online

Në disa raste, mjaftonte vetëm klikimi në një dritare që pyeste nëse blerësi ishte mbi 18 vjeç, ndërsa te Coop kontrolli mund të anashkalohej duke zgjedhur lënien e pakos te dera, në vend të dorëzimit personal, shkruan Watson.

Ndër 11 dyqanet online ku u konstatuan mangësi në verifikimin e moshës përfshihen Brack, Coop dhe disa platforma të specializuara në shitjen e cigareve elektronike.

Në 11 dyqanet e tjera porositë nuk mund të përfundoheshin, pasi kërkohej kopja e dokumentit të identifikimit.

Sara Stalder nga organizata për mbrojtjen e konsumatorëve ka kritikuar kompanitë, duke i akuzuar se po vendosin fitimin përpara mbrojtjes së të rinjve.

Organizata u ka kërkuar autoriteteve kantonale dhe operatorëve të dyqaneve online që të vendosin menjëherë kontrolle të sigurta dhe të detyrueshme të moshës, përndryshe produktet duhet të hiqen nga shitja online.

Përgjigja e kompanisë Brack

Kritikave u është përgjigjur edhe kompania Brack, e cila ka kundërshtuar pretendimet se nuk kryen kontrolle të moshës.

Sipas saj, verifikimi bëhet përmes krahasimit të emrit dhe adresës së porositësit me të dhënat e një kompanie të jashtme.

Megjithatë, kompania ka pranuar se ky sistem ka kufizime dhe ka njoftuar se do të vendosë një kontroll të ri përmes dokumentit të identifikimit, me zbatim të planifikuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2027.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha