Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se ka miratuar vendimin për shpalljen e konkursit për shkollim specialistik, në të cilin ofrohen gjithsej 313 vende.
Konkursi i katërt për specializime
Sipas tij, ky është konkursi i katërt për specializime i hapur brenda më pak se katër vjetësh. Në këtë proces, prioritet i është dhënë profileve ku ka mungesa, si dhe nevojave të institucioneve shëndetësore në rajone.
Një element tjetër i këtij konkursi është financimi, për herë të parë nga Ministria e Shëndetësisë, i 20 vendeve për specializim në Mjekësi Familjare.
Sistemi digjital i vlerësimit
Procesi i vlerësimit do të realizohet përmes një sistemi digjital. Kandidatët do t’i regjistrojnë të dhënat online, ndërsa platforma do t’i llogarisë pikët në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs. Pas kontrollit nga Bordi, secili kandidat do të ketë mundësi të shohë pikët e tij.
Vitia ka bërë të ditur gjithashtu se në ditët në vijim pritet të hapet një konkurs i veçantë për shkollim specialistik, i cili do t’u përgjigjet nevojave të institucioneve shëndetësore private.
“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces!”, është shprehur ministri Vitia, duke u dëshiruar sukses të gjithë kandidatëve.
Burimi: www.albeu.com









