40 përkrenare ilire të zbuluara në Shqipëri dhe Kosovë, një studim që sjell dëshmi të reja për historinë, artin e metalpunimit dhe fuqinë ushtarake të ilirëve. Pas katër dekadash kërkimesh arkeologjike në terren, arkeologu Adem Bunguri sjell një studim të rëndësishëm mbi një prej simboleve më përfaqësuese të qytetërimit ilir: përkrenaren. Monografia “Përkrenare ilire në Shqipëri dhe Kosovë” dokumenton 40 ekzemplarë të kësaj pajisjeje mbrojtëse, prej të cilëve 33 janë zbuluar në Shqipëri dhe 7 në Kosovë.
Studimi i Adem Bungurit mbi përkrenaret ilire
Studimi nuk është thjesht një katalog arkeologjik, por një përpjekje për të rindërtuar historinë e një prej elementeve më të rëndësishme të armatimit të luftëtarëve ilirë. Përveç përkrenareve të tipit ilir, në botim përfshihen edhe pesë përkrenare të tipeve të tjera, korinthike, atike, maqedonase dhe kelte, si dhe elemente të tjera të armatimit mbrojtës.
Një shtysë e rëndësishme për këtë studim ishte zbulimi i përkrenareve të Sofraçanit, gjatë punimeve për hapjen e Rrugës së Arbrit në vitin 2008. Ky zbulim nxiti kërkime dhe analiza të mëtejshme, duke pasuruar ndjeshëm bazën e të dhënave mbi përhapjen, tipologjinë dhe kronologjinë e përkrenareve ilire.
Për herë të parë, materiali është trajtuar në mënyrë sistematike, përmes një katalogu të detajuar që përfshin vendgjetjen, rrethanat e zbulimit, vendruajtjen, përmasat, peshën, gjendjen e konservimit dhe karakteristikat tipologjike të secilit ekzemplar. Sipas studimit, përkrenarja më e hershme e tipit ilir në Shqipëri është ajo e Borovës, në Kolonjë, që daton në fundin e shekullit VII para Krishtit. Një dëshmi që e vendos territorin shqiptar ndër rajonet më të hershme të Ballkanit ku u shfaq ky tip përkrenareje.
Rëndësia e përkrenareve për ilirët
Por çfarë i bënte të veçanta përkrenaret ilire? Ato nuk ishin vetëm mjete për mbrojtjen e kokës dhe qafës gjatë betejave. Përmasat, forma dhe mjeshtëria e punimit dëshmojnë edhe për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak të komuniteteve ilire. Përkrenarja ishte një pajisje e kushtueshme, e përdorur kryesisht nga aristokracia ushtarake dhe prijësit ilirë. Ajo përfaqësonte jo vetëm mbrojtjen në luftë, por edhe statusin shoqëror, autoritetin politik dhe hierarkinë e mbajtësit. Në kohë paqeje, përkrenaret shërbenin si shenja prestigji gjatë ceremonive dhe festave, ndërsa në raste të tjera përdoreshin edhe si kushtime për hyjnitë.
Burimi: abcnews.al










