Rënia e një helikopteri të forcave italiane në Bosnjë, ku humbën jetën 4 persona që ndodheshin në bord, ka shumë të ngjarë të ketë ardhur si pasojë e një problemi teknik.
Dyshimet për shkakun e aksidentit
Ky është dyshimi kryesor i autoriteteve, të cilat megjithatë theksojnë se është ende shumë herët për të nxjerrë një përfundim dhe se mund të duhen disa ditë për të kuptuar e përcaktuar shkaqet.
Në Ministrinë italiane të Mbrojtjes, gjatë orëve të para pas tragjedisë, vëmendja u përqendrua te çështje të tjera: bilanci i viktimave dhe njoftimi i familjarëve, përpara se ata të mësonin lajmin e rëndë përmes mediave italiane apo boshnjake.
Ndërkohë mësohet se pilotët janë nxjerrë të gjallë nga helikopteri. Gjithsej 11 janë të lënduarit që po marrin kujdes mjekësor. Shpëtimi i tyre është përshkruar nga përfaqësues të qeverisë italiane si “pothuajse një mrekulli”.
Hipoteza mbi motorin dhe kushtet e fluturimit
Në rrjetet sociale ndërkohë është shfaqur një hipotezë më konkrete për shkakun e aksidentit. Ekspertë të helikopterëve kanë analizuar videon e publikuar në Facebook nga Bosnja. Sipas pamjeve, duket se njëri prej dy motorëve është bllokuar ose ka pësuar një ndryshim të drejtimit të rrotullimit.
Të paktën këtë sugjerojnë pamjet filmike dhe sekuencat e pakta të disponueshme përpara rënies: helikopteri duket se ka hyrë në një rrotullim të pazakontë dhe të pakontrolluar rreth vetes. Një aksident i tillë nuk është i zakonshëm për një helikopter me teknologji kaq të avancuar si CH-47F Chinook. Ky model prodhohet nga kompania amerikane Boeing, në bashkëpunim me kompaninë italiane Leonardo.
Sipas të dhënave teknike të këtij gjiganti të vogël të qiellit, helikopteri, i cili u rrëzua pasditen e djeshme në Bosnjë, po përballej me kushte atmosferike relativisht normale: qiell me vranësira dhe erë me shpejtësi më të vogël se 5 kilometra në orë.
Pra, nuk bëhej fjalë për kushte të veçanta apo të vështira atmosferike. Të gjitha këto informacione të pjesshme mbërritën në Romë nga komanda e EUFOR-it, misionit ushtarak evropian për stabilizimin e Bosnjës, i cili që nga ky vit drejtohet nga Italia.
Mes personave që ndodheshin në bord, jo të gjithë viktimat janë ushtarakë. Dy nga personat që humbën jetën i përkisnin personelit të Kryqit të Kuq.
Në total, Italia ka më shumë se 200 persona të angazhuar në kuadër të Euroforit me detyra të ndryshme operacionale, në tokë dhe në ajër, përfshirë mbikëqyrjen ajrore dhe inteligjencën ushtarake.
j.l./ dita
Burimi: gazetadita.al









