Injeksionet për humbje peshe po përdoren gjithnjë e më shumë në mbarë botën, por ekspertët paralajmërojnë se dobësimi i shpejtë mund të ketë pasoja edhe për masën muskulore dhe pamjen e lëkurës.
Këshillat e Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk
Prof. Dr. Ozlem Su Kucuk, drejtuese e Departamentit të Dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Bezmialem Vakif, rekomandon që personat që ndjekin këto trajtime të konsumojnë nga 1 deri në 1.5 gramë proteina për çdo kilogram të peshës trupore në ditë.
Sipas saj, kjo është një nga mënyrat për të ndihmuar në ruajtjen e masës muskulore gjatë procesit të rënies në peshë. Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e aktivitetit fizik, veçanërisht ushtrimeve të rezistencës, si dhe hidratimit të mjaftueshëm.
Një tjetër shqetësim që lidhet me dobësimin e shpejtë është ndryshimi i pamjes së fytyrës, i njohur ndryshe si “fytyra Ozempik”. Humbja e yndyrës në zonën e fytyrës mund të shkaktojë mollëza të fundosura, zgavra poshtë syve, rrathë të errët, rrudha dhe varje të lëkurës në fytyrë e qafë.
Përdorimi i sigurt dhe ndryshimet estetike
Specialistja nënvizon se këto trajtime, veçanërisht injeksionet që veprojnë përmes receptorëve GLP-1, duhet të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe jo pa një vlerësim profesional.
Ajo këshillon gjithashtu që suplementet ushqimore dhe vitaminat të mos merren pa rekomandimin e specialistit, pasi përdorimi i pakontrolluar mund të shkaktojë reaksione të lëkurës, ndërveprime me medikamente të tjera dhe dëmtime të mëlçisë apo veshkave.
Sa i përket ndryshimeve estetike pas rënies së shpejtë në peshë, Kucuk shprehet se në rastet kur shfaqen rrudha dhe varje e theksuar e lëkurës, mund të konsultohet dermatologu. Në varësi të nevojave, mund të shqyrtohen trajtime si PRP-ja apo mbushësit dermalë.
Megjithatë, ajo paralajmëron se çdo procedurë estetike duhet të kryhet nga mjekë të specializuar, pasi ndërhyrjet nga persona të pakualifikuar mund të sjellin probleme serioze shëndetësore.
Burimi: bordo.al










