TIRANË- Për vitin 2027, buxheti i dedikuar arsimit parashikohet të arrijë në 66 miliardë lekë, duke përfshirë financime shtesë për disa nga prioritetet kryesore të këtij sektori. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet bursave për studentët në nevojë, për të cilat janë planifikuar 1.1 miliardë lekë shtesë.
Financimet shtesë për infrastrukturën dhe kërkimin shkencor
Përveç kësaj, 400 milionë lekë të tjera do të alokohen për infrastrukturën e arsimit bazë, ndërsa kërkimi shkencor do të përfitojë 100 milionë lekë shtesë. Një prioritet tjetër është programi “Pas shkolle”, për të cilin është parashikuar një financim shtesë prej 500 milionë lekësh.
Vlerësimi i ekspertit të punësimit
Eksperti i punësimit Erion Muça, i ftuar në “Money Report”, u shpreh se çdo ndërhyrje në buxhet që fokusohet te studentët dhe të rinjtë duhet përshëndetur. Ai theksoi se këto masa janë tipikisht të majta, të cilat mbështesin shtresat e shoqërisë që kanë nevojë për përkrahje nga shteti.
“Çdo ndërhyrje në buxhet me fokus te studentët apo te të rinjtë është pozitive. Ajo që unë shoh dhe e kam kërkuar publikisht, është që duhet t’i jepet një mbështetje dhe një hapësirë shumë më e madhe prirjes së talentit që në moshën të vogël.
Çdo mbështetje e shtetit ndaj arsimit është për t’u përgëzuar. Unë këto masa i shoh si tipikisht të majta nga fryma që ato sjellin, të rinjtë dhe studentët kanë nevojë për një mbështetje”, tha ai./abcnews.al
Burimi: abcnews.al










