Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Transporti detar i mallrave rritet me 6,9 për qind në tremujorin e tretë

Transporti detar i mallrave rritet me 6,9 për qind në tremujorin e tretë
Foto: reporteri.al

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Transporti detar i mallrave në Shqipëri shënoi rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, ndërsa Porti i Durrësit vazhdoi të jetë pika kryesore e përpunimit të mallrave në vend.

Porti i Durrësit dhe volumi i mallrave

Sipas të dhënave të INSTAT, nga Porti i Durrësit gjatë tremujorit të tretë 2026, u transportuan 95,8 % e volumit të mallrave të transportuar me det, ose 2.342 mijë ton mallra.

Ndërkohë volumi gjithsej i mallrave të transportuara nga porti i Durrësit është rritur me 9,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë 2026, volumi i mallrave të tregtuara me det (eksport dhe import) është rritur me 6,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në total, volumi i mallrave të eksportuara me det zë 41,7 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të eksportuara, ndërsa volumi i mallrave të importuara zë 66,1 % ndaj totalit të volumit gjithsej të mallrave të importuara.

Grupi i mallrave “Koks dhe produktet e rafinuara të naftës” përbën 17,5 % të mallrave të transportuara nga portet, ndërsa grupi i mallrave “Metale bazë; produkte metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” përbën 15,6 % të mallrave. Po ashtu grupi “Produkte të tjera minerale (jo metalike)” përbën 12,5 % të mallrave dhe grupi i mallrave “Qymyr dhe linjit; naftë bruto dhe gaz natyror” përbën 11,4 % të mallrave.

Pasagjerët dhe anijet në portet shqiptare

Ndërkohë për sa i përket numrit të pasagjerëve, në total nëpërmjet porteve detare kanë udhëtuar 955.988 persona. Porti i Sarandës është porti nga i cili kanë udhëtuar 48,4 % e pasagjerëve, ndjekur nga porti i Durrësit me 42,6 % dhe më pas porti i Vlorës me 9,0 %.

Në total gjatë këtij tremujori kanë hyrë dhe kanë dalë nga portet në vend 276 anije, nga këto 257 anije janë të huaja dhe 19 anije vendase, duke shënuar një rritje me 5,7 % në total krahasuar me tremujorin e tretë 2025. Numri i anijeve të huaja është rritur me 2,8 %.

/m.m/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha