Studenti në shtëpi
Në një qytet të Evropës së Mesme, Nushi po lexonte letrën që sapo i kishte sjellë postieri. Edhe në duart e postierit, letra njoftonte se vinte nga shtëpia. Po, zarf i bardhë në formë katrore, shtëpia e ulët, me një oborr të vogël plot lule. Më pas, i ati i shfaqej Nushit në mendje, sepse ai e kishte shkruar letrën duke hyrë në atë shtëpi, në muzg të mbrëmjes, dhe duke e marrë natën me vete. Sepse pas tij dera mbyllej, dhe atëherë hyrjet e daljet ishin jashtëzakonisht të rralla, dhe vetëm kur njoftohej ndonjë lindje, ndonjë vdekje ose vinte ndonjë mik i papritur, çka ndodhte shumë rrallë, prishej ky ligj patriarkal. Ligj, edhe çfarë ligji! Kush e shkelte atë ligj, gjithë atë natë do ta çonte në një ndjenjë si të kishte shkelur diçka të ftohtë, të rrëshqitshme si gjarpër. Edhe sytë e të atit që të përshkonin me ftohtësi përftonin tamam një ndjenjë të tillë te Nushi. Si të kishte shkelur gjarpërin. Edhe kjo ishte një arsye për Nushin dhe nuk i mbushej mendja të kthehej në atdhe, në shtëpi aq shpejt. Kanë kaluar më shumë se tri vjet që ka ardhur në universitet për studime, dhe tash një vit e sa është duke vendosur: jo, nuk shkoj në shtëpi për këto Këshndella, jo për këto Pashkë, por vendimi rrite pa u bërë veprim. Çka do të bëj atje? – thoshte së fundi Nushi.
Letra nga shtëpia
Por letra që mori tashti i jepte afatin e fundit. “Motra jote do të martohet, edhe një muaj, prandaj ti, si vëllai i saj, duhesh me ardhë medoemos.” Ishte urdhri i të atit. Nushit në fillim i erdh disi mirë, u gëzua, por kur u mendua pak, u ftoh, ishte në natyrë të tij që gjithçka m’e marrë me mend e jo me zemër.
“A mundet me qenë ky oborri që e lashë para tri vjetësh”, mendonte Nushi. “Kaq i vogël, më bëhet se nuk ishte,” – dhe shikonte rreth e përqark, me pa mos është ndërtuar gjë që me ia zënë vendin oborrit. Por jo asgjë të re. Po ato pemë: hardhia, fiku, kumbulla; po ato lule. Qe atje drandofillja e pak më tej lulemustaku. E kur hyri mbrenda në shtëpi, dhomat iu bënë shumë të vogla. Mobiljet ndër to si mos me i pasë prekë dora e njeriut. Gjithçka në vendin e përparshëm, si me qenë të destinueme dhe me u kalbë po n’ato vende. Por gjithçka, gjithçka disi e zvoglueme. Mezi Nushi gjet shkakun e këtij mashtrimi optik. Shkaku ishte te shtëpitë e mëdha dhe sheshet e hapta të qytetit ku kishte qenë. Po, gjithçka për Nushin ishte zvogluem, vetëm vllaznit e motrat ishin rritë, ishin më të mëdhenj sesa i paraftyrronte ai vetë kur i kujtonte përjashta. Tek e ëma i ra në sy se i kishte rënë një dhëmb, e i ati kishte fituar do rrudha në ballë dhe thija në mustaqe.
— A t’u mbush mendja me ardhë, – i tha i ati kur e pa. Nushi u mallëngjye pak me të pamun t’anë dhe donte këte dhe ta dëftojë, por i ati vetëm i shtriu dorën, të cilën Nushi e shtrëngoi pa ditë me u përgjegjë në pyetje. Kur u rrok me motra, këto si me u mendue a ta puthin apo jo. Vetëm puthja e s’ëmës ishte e qartë dhe oshtini nëpër shtëpi.
— Mamë, – tue kuvendue një mbrëmje me Nushin thirri Agia, motra e fejueme, dhe shpëtoi tek e ama në dhomë të zjarrmit. Mamë! Nushi thotë se edhe vajzat sa unë, edhe të martueme bile, shkojnë në shkollë. Ha-ha-ha! u përplas qeshja e vajzës në ftyrë të s’ëmës.
— Mos u qesh ashtu moj bijë, se po të ndijnë kojshit… është marre. Vajza nuk përgjegji, por, e zanun me tregimet e vllaut, mendonte ato vende të çuditshme, ku vajzat nuk lidhen për shtëpi, ku dalin me djelm me shetitë pa fare turpit, ku kërcejnë… ah! kërcejnë aq bukur.
— Nush! – bërtet vajza nga dhoma e zjarrmit, – a po më mëson me kërcye? Një shoqe e eme ma plasi zemrën, tue m’u lavdue se din me kërcy… (Ah, kur të më mësoje mue Nushi, tash ia kallzoj qejfin – mendonte me vetë tue fshi një çini). Vëllau muer motrën dhe filloi t’i kallzojë do regulla, por ashtu në grykë të shoqi-shoqit dhe tue kërcye, i gjeti i ati.
— S’ke marre! Nesër do të martohesh!.. Edhe ti, – tue iu sjellë Nushit, – s’je i vogël. Shyqyr që paske ardhë sonte herët! – tha i ati i vranët.
Motra iku në dhomë të zjarrmit e Nushi tha se u mërzit.
— Po, në shtëpinë tande me u merzitë? Jo, kjo mue s’më ka ndodhë kurr. Prandaj mezi dhe që erdhe një herë.
Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me folë me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë më mirë. Por kaloi ajo kohë, kur n’imaginatë të tij baba ishte diçka më tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij është një prej qindra – në mos dhe mija – etnish të qytetit tonë, njëni prej atyne etenve që nga fëmija i vet duhen me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashigimtarin e dej të një të kalueme te gjymtë.
— Të kane pamë tue shëtitë me do djelm që nuk janë të fesë sonë…
— Po ata janë shokët e mi…
— Hë… shokët e tu… S’paske muejtë me gjetë shokë më të mirë. Po, apo ke pak, more, shokë të fesë sonë?
— Po, kur u gjeta në mes të tyne unë nuk munda t’u iki, more babë. Mirë pra, sot e tej do të shëtis me ata që më thue, – vendosi Nushi t’i leshojë pe babës tue ia bamë qejfin.
— Hë, ashtu unë due. Ndëgjo ti babën, dhe nuk do pendohesh. Ti duhesh me pasë një shoqni prej së cilës do mësojsh ndonjë gjë. Po prej asaj shoqnie, të cilën pate sot, çka mundesh me mësue? Ata, t’asaj feje, sado shkollë me ba, prapëseprapë njerëz nuk bahen. Ndëgjo ti babën…
E Nushi ndëgjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndëgjue babën i cili e lindi, e rriti dhe e bani kaq! Pale mos ndëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndëgjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me ndëgjue – ndëgjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilët kanë ndejun përreth edhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon dhe nana në dhomë të zjarrmit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun mbrenda mureve të shtëpisë dhe mbrenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjithë pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundësh, e nse nuk mund të marrin frymë – të pëlcasin. Sa vështirë është me rritë fëmi në kohë të sotme! Sa vështirë është me i ruejtë varzat! Eh, Kohët e kalueme! — Por a e dini ju, more fëmi, se unë njaq sa ju isha, kur fillova me fitue bukën… Edhe qe, ka dasht zoti, edhe ju me pasë mjaft, sa me ju plasë planci…
Nushi ndëgjon. Të gjithë ndëgjojnë. Pale e mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rreptë.
Nostalgjia e Nushit
Një buzëmbramje Nushin na e kish zanë nostalgjia për viset e largta, për qytetin e studimeve të tij. Ai e don kët votër, më mirë me thanë këto gjind reth votrës: prindët, motrat e vllaznit, por diçka si më e fortë e lidh edhe për ato vise. Ato vise ku jeta impulsive të lejon ta shijosh dhe si i ri dhe si plak, si filozof ose si njeri i thjeshtë. Nushi vëren kontrastin e tmerrshëm në mes të vendit të vet dhe t’atyne viseve. Dhe si i ri që është, ndjenjat e tij mnjanojnë për mrekullinat e largëta, e në mendime gjyrmon shkaqet pse vendi i tij është aq mbrapa. Dhe njato shkaqe, me gjith zjarrmin e rinisë, i urren. Urren të kaluemen që është aq e afërme, si baba i tij. Baba është i afërm, si babë, por i largët si përfaqësues i shoqnisë, si person. E gjith mosmarrveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngaqë të gjith kemi nëpër shtëpia, nëpër votra, ka një ose më tepër të këtille të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh. Çashtja me ta qëndron si çashtja e një operacioni: ose ta presish kambën dhe të rrosh, ose mos ta presish kambën dhe të vdesish. Kush ka pasë fat me iu smund ashtu kamba, njat të dalun ka. Nushi e din që edhe baba i tij s’ka faj se është i tillë; rrethanat dhe shoqnia e krijuen. Prandaj dhe ka mbetun dashunia birnore në Nushin, pse din t’arsyetojë. Por vllaznit e tij, motrat, a thue do ta dojnë babën? Kujtohet se kur ishte fëmi, kundrejt babës ma parë ndiente frigë se dashuni. E tash motrat dridhen para babës, e vllaznit nuk e kand aspak në qejf shoqnin e babës; kur ven baba, ata zhduken.
— Çka kishe bamë, ti Nush, në kët kohë me qenë përjashta? – ia preu mendimet Agia, tue hymë në dhomë, plot gjallni.
— Tash është koha e shëtis, do të kishe shetitë me ndonjë shok ose…
— Ose me ndonjë shoqe, ha-ha-ha – ia priti motra tue u qeshë.
— Po, pse jo… Njësoj, si me shok si me shoqe. Këtu te na përmbyset bota me ba m’u pa një vajzë me një djalë. Atje as i bie në sy kujt. Gjithkush shikon punën e vet.
Dhe vëllau shfrente nostalgjinë e viseve të largëta tue i tregue motr
Burimi: kultplus.com










