Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Zbulohen thasë me drogë në pyllin e Komanit, arrestohen 4 persona

Zbulohen thasë me drogë në pyllin e Komanit, arrestohen 4 persona
Foto: lajmifundit.al

Policia e Shkodrës ka përfunduar pas disa javësh hetime një operacion tjetër për të goditur veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Gjatë operacionit të koduar “Gjurmët” janë gjetur dhe sekuestruar në një zonë të pyllëzuar në Koman mbi 56.7 kg kanabis sativa, e ndarë në 10 thasë.

Në pranga kanë përfunduar 4 persona dhe në gjendje të lirë është proceduar vëllai i njërit prej tyre, të cilët dyshohet se kishin fshehur lëndën narkotike në pyll dhe po e përgatitnin për shitje.

Njoftimi i policisë

Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, si rezultat i një pune hetimore disajavore, me metoda proaktive, finalizoi operacionin policor të koduar “Gjurmët”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:

-P. F., 45 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, M. P., 39 vjeç, banues në fshatin Dush, Vau i Dejës, K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. F., 38 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, vëllai i 45-vjeçarit.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin lëndë narkotike Cannabis Sativa, me automjete dhe me varka, në zonë të pyllëzuar në fshatin Koman, ku e përgatitnin për shitje.

Gjatë ndërhyrjes në këtë zonë, shërbimet e Policisë kryen kontroll në një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të shtetasit P. F., dhe në automjetet në përdorim të shtetasve K. K. dhe M. P., ku gjetën 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë mbi 56.7 kilogramë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Hetimet vijojnë

Vijon puna për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha