Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Sveçla publikon dokumentet e pagesave për Arkitektin e Kryeqytetit

Sveçla publikon dokumentet e pagesave për Arkitektin e Kryeqytetit
Foto: reporteri.al

Kreu i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas paraqitjes së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, në Prokurorinë Speciale, ku po merret në pyetje si i dyshuar për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Sveçla ka publikuar në Facebook një dokument, përmes të cilit pretendon se Komuna e Prishtinës ka paguar mbi një milion euro për shërbimet e ofruara nga Zyra e Arkitektit të Kryeqytetit, vetëm gjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2023.

Pagesat për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”

Sipas tij, pagesat për këta dy muaj kanë arritur në 1 milion e 48 mijë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës për këtë projekt është 12 milionë euro.

Sveçla ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka denoncuar këtë projekt që nga fillimi.

“Plot 1 milion e 48 mijë euro i ka paguar Komuna e Prishtinës për shërbimet e ofruara nga Zyra e Arkitektit të Kryeqytetit, vetëm për dy muaj, tetor dhe nëntor të vitit 2023. Ndërkohë, kontrata e përgjithshme për këtë projekt kap vlerën prej 12 milionë eurosh”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka lidhur këto pagesa me intervistimin e Ramës nga Prokuroria Speciale.

Intervistimi i Përparim Ramës nga Prokuroria Speciale

“Tre vjet më vonë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është thirrur për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pikërisht lidhur me këtë projekt të cilin si Lëvizje VETËVENDOSJE! e kemi denoncuar qysh nga dita e parë”, ka deklaruar Sveçla.

Përparim Rama është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale për intervistim lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”. Ai po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit.

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha