Kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka dhënë një sqarim pas kritikave që u ngritën për deklaratën e tij gjatë seancës së sotme, kur një asamblist kërkoi leje për t’u larguar për namazin e xhumasë.
Fehmi Kupina sqaron deklaratën
Në një reagim publik, Kupina theksoi se fjalët e tij u thanë në kuadër të një diskutimi procedural për organizimin dhe zhvillimin e punimeve të Kuvendit, duke hedhur poshtë çdo qëllim për të prekur bindjet ose praktikat fetare të dikujt.
Ai vuri në dukje se liria e besimit dhe e praktikimit të fesë është e drejtë themelore e mbrojtur nga Kushtetuta e Kosovës, të cilën, sipas tij, e respekton pa asnjë rezervë.
“Duke qenë edhe vetë një njeri i besimit, e kuptoj rëndësinë shpirtërore dhe personale që praktikat fetare kanë për çdo individ. Respektimi i bindjeve fetare, për mua, nuk është thjesht detyrim kushtetues, por edhe një vlerë njerëzore e morale”, ka shkruar Kupina.
Sidoqoftë, ai shprehu keqardhje nëse mënyra e formulimit gjatë seancës krijoi përshtypjen e mungesës së respektit ndaj praktikave fetare.
“Megjithatë, jam i vetëdijshëm se komunikimi institucional kërkon kujdes dhe përgjegjësi të veçantë. Në këtë frymë, shpreh keqardhje nëse formulimi i përdorur ka krijuar përshtypjen e mungesës së respektit ndaj praktikave fetare”, thuhet në reagimin e tij.
Qëndrimi ndaj debatit publik
Kupina konsideroi se deklarata e tij nuk duhet të kthehet në një debat mbi besimin fetar dhe as të bëhet burim polarizimi në publik.
Ai shtoi se një formulim i nxjerrë jashtë kontekstit nuk duhet të interpretohet si qëndrim ndaj fesë apo ndaj atyre që e praktikojnë atë.
“Besimi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë objekt kundërshtimi apo përçarjeje nga ana ime. Ai është çështje e ndërgjegjes individuale, e cila meriton respekt, jo paragjykim”, ka deklaruar Kupina.
Në përfundim, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës tha se respekton të drejtën e mediave dhe të qytetarëve për kritikë dhe debat publik, ndërsa theksoi se angazhimi i tij institucional mbetet ushtrimi i përgjegjësive me paanësi, dinjitet dhe respekt për të drejtat e liritë e çdo qytetari.
Reagimi i Kupinës vjen pasi gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, deklarata e tij “Çka kam lidhje unë që ki me shku me xhuma?” drejtuar një asamblisti që kërkoi leje për të shkuar në namazin e xhumasë shkaktoi reagime publike.
Burimi: insajderi.org









