Sa më i madh të jetë motori dhe sa më i vjetër të jetë automjeti, aq më e lartë do të jetë shuma e taksës vjetore që do të paguhet duke filluar nga janari i vitit 2027.
Ndryshimi kryesor i projektligjit
Ky është ndryshimi më i rëndësishëm që parashikon projektligji i ri për taksat kombëtare, i cili synon heqjen e taksës së qarkullimit mbi naftën dhe zëvendësimin e saj me taksën vjetore të automjeteve.
Taksa e re vjetore do të përllogaritet duke u bazuar në vjetërsinë, fuqinë motorike dhe llojin e karburantit, ndërsa makinat me naftë do të paguajnë më shumë sesa ato me benzinë ose gaz. Formula mbetet e njëjtë: shumëzimi i cilindratës me koeficientin e vjetërsisë dhe tarifën sipas karburantit, por tarifat rriten dhe koeficientët rishikohen.
Aktualisht taksa fikse që paguhet sipas llojit të karburantit në taksat vjetore është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën.
Projektligji propozon që për mjetet me fuqi motorike deri në 2 mijë kubikë, taksa të jetë 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin. Për mjetet me fuqi motorike mbi 2 mijë kubikë, taksa fikse për llojin e karburantit është 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe 21 lekë për gazin. Ndërsa për autobusët, taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe 20 lekë për gazin.
Tabela e taksës vjetore sipas motorit dhe karburantit
Nga motori deri te lloji i karburantit, kjo është tabela me vlerën përfundimtare të taksës vjetore që duhet të paguajnë të gjithë drejtuesit e mjeteve. Këto shuma përfshijnë vetëm taksën e makinës. Siguracioni dhe kontrolli teknik paguhen veçmas.
Për shembull, një autoveturë e vitit 2016 me fuqi motorike 1,600 kubikë, me naftë dhe koeficient vjetërsie 0.24, që aktualisht paguan 4,800 lekë taksë vjetore, nga janari 2027 do të paguajë 9,600 lekë, ose 100% më shumë.
Gjithashtu, për makinat elektrike parashikohet një pagesë fikse prej 15 mijë lekësh në vit, ndërsa për motorët elektrikë 1 mijë lekë. Për automjetet që klasifikohen si luksoze, taksa e posaçme vjetore rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë.
Në skemë përfshihen edhe rimorkiot dhe gjysmërimorkiot. Për ato me peshë deri në 50 tonë do të paguhet 1 lek për kilogram, ndërsa mbi këtë peshë taksa do të jetë 60 mijë lekë në vit.
Ndërsa më parë taksën e qarkullimit te nafta e paguanin edhe të huajt kur furnizoheshin për çdo litër karburant, edhe për ndryshimin e taksës vjetore qeveria po shqyrton një taksë tjetër që do t’u aplikohet të huajve në doganë.
Numri i mjeteve në qarkullim në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT-it, ka kaluar 1.1 milionë, ndërsa më shumë se një e treta e tyre është përqendruar vetëm në Tiranë. Një rritje me 8.7% brenda një viti.
Burimi: tirananews.al









