Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Lunin zbulon sekretin e qëndrimit te Real Madrid

Lunin zbulon sekretin e qëndrimit te Real Madrid
Foto: telesport.al

Andriy Lunin luajti një rol vendimtar në fitoren e Real Madridit në “El Clásico”, duke qenë një nga arsyet kryesore pse ata mundën Barcelonën. Megjithatë, ukrainasi nuk do ta ruajë vendin e tij në portë; ai kthehet në stol për ndeshjen kundër Racing Santander.

Lunin dhe Courtois

Ky vendim përmbledh paradoksin me të cilin Lunin është përballur prej vitesh. Pavarësisht nivelit të tij të shkëlqyer, Thibaut Courtois i bllokon rrugën drejt aktivizimit të rregullt. Belgu konsiderohet si portieri më i mirë në botë, e ndoshta edhe në historinë e futbollit.

Lunin nuk mund të pretendojë një vend si titullar, por sa herë që i jepet mundësia, ai dëshmon se është një portier tek i cili mund të mbështetesh.

Sipas gazetës spanjolle “AS”, ukrainasi pati një paraqitje të shkëlqyer kundër Barcelonës, duke ndalur gjashtë goditje. Më mbresëlënësja ishte ndërhyrja e tij për të larguar një goditje me kokë nga Gerard Martin. Ai ruajti gjakftohtësinë dhe tregoi pjekuri të madhe gjatë gjithë ndeshjes.

Shkëlqimi i tij nuk ishte thjesht një rastësi. Ai pasqyron një karakter të fortë dhe një reputacion të ndërtuar përmes performancave të tij; statistikat e tij kundër Barcelonës e konfirmojnë këtë: katër fitore në pesë ndeshje “El Clásico”.

Rrallë ndodh që një portier, i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës në stol, të ketë një ndikim kaq të madh në momentin që thirret në detyrë. Lunin thyen stereotipin e portierit rezervë.

Puna dhe përkushtimi i Lunin

Një pjesë e sekretit qëndron te besimi i tij i palëkundur në vetvete. Kjo bindje është e dukshme brenda dhomave të zhveshjes së Real Madridit, ku personaliteti i tij gëzon respekt të madh.

Ai nuk e konsideron veten më të dobët se Courtois. Gjithashtu, nuk lejon që natyra e rolit të tij apo rrethanat e kufizuara të aktivizimit të ndikojnë negativisht në vetëbesimin e tij.

Ky mentalitet reflektohet edhe në mënyrën e tij të jetesës dhe në punën e përditshme. Lunin ndërthur një natyrë të rezervuar me një vëmendje të vazhdueshme ndaj luftës në Ukrainë, duke shfaqur gjithashtu një sens humori që është bërë gjithnjë e më spanjoll.

Pak lojtarë janë po aq të përkushtuar ndaj punës dhe stërvitjes sa ukrainasi. Pasioni i tij është aq i madh, saqë shpesh njerëzit e afërt duhet t’i kërkojnë të pushojë.

Asgjë në karrierën e tij nuk i lihet rastësisë. Lunin kërkon vazhdimisht klipe video analitike të ndërhyrjeve të tij gjatë ndeshjeve dhe ndjek programe stërvitore individuale në shtëpi.

Dëshira e tij për t’u stërvitur shtrihet deri në oborrin e shtëpisë së tij. Aty, ai simulon situata loje dhe u kërkon familjarëve e miqve të luajnë rolin e kundërshtarëve, gjithçka për të përmirësuar nivelin e tij.

Në aspektin teknik, Lunin krijoi një marrëdhënie besimi të plotë me Luis Llopis, i cili ishte përgjegjës për portierët e Real Madridit deri në këtë sezon. Ai gjithashtu ndërtoi një marrëdhënie të mirë me Nuno Santos, trajnerin që Jose Mourinho e solli për këtë detyrë.

Pasi shokët e skuadrës e ngritën në supe pas ndeshjes kundër Barcelonës, Mourinho u kujdes posaçërisht ta përqafonte lojtarin ukrainas. Ky gjest dëshmoi respektin e madh që ai gëzon në dhomat e zhveshjes.

Me kalimin e viteve, Lunin ka larguar shumë nga dyshimet që lindën për shkak të mungesës së tij në formacionin titullar. Zërat që e konsideronin atë thjesht si një zgjedhje të dytë, nuk e prekin më.

Ofertat për t’u larguar vazhdonin të vinin. Ai ishte pranë largimit nga Real Madridi në verat e viteve 2024 dhe 2025, i gatshëm për të nisur një sfidë të re, por asnjë nga propozimet e marra nuk e bindi të ndërmerrte atë hap.

Njerëzit pranë Luninit shprehën mendimet e tyre për të ardhmen e tij. Ndonjëherë e nxisnin të ndryshonte ambient dhe të gjente një klub ku do të kishte më shumë hapësira për të luajtur, e herë të tjera këmbëngulnin hapur që ai të largohej.

Ukrainasi zgjodhi stabilitetin në Madrid. Ai e vlerësoi më shumë pozitën që kishte fituar në Valdebebas sesa rrezikun e një fillimi të ri.

Jorge Mendes, agjenti i Luninit dhe njeriu që drejton karrierën e tij, ndihmoi që peshorja të anonte nga qëndrimi në klub. Ai ishte i vendosur ta mbronte klientin e tij nga vendimet e nxituara.

Sa herë që Mendes paraqiste një ofertë te drejtuesit e Real Madridit, përgjigjja ishte negative. Kjo refuzim e shtyu atë ta qetësonte Luninin dhe ta inkurajonte të vazhdonte rrugëtimin e tij me klubin.

Qëndrimi i Mendesit përputhej me vizionin e vetë Real Madridit. Gjigantët spanjollë e kanë vlerësuar gjithmonë lart Luninin dhe nuk e kanë menduar kurrë largimin e tij, duke e parë atë si opsionin më të mirë për të zëvendësuar Courtois-in.

Më pas, gjatë sezonit 2023-2024, Courtois pësoi një dëmtim të rëndë, çka i hapi rrugën Luninit për të treguar vlerat e tij në praktikë. Shqetësimet e klubit u shndërruan në një provë të vërtetë: a mund ta përballonte ukrainasi një përgjegjësi të tillë?

Ai ia doli. Në atë periudhë, Lunin luajti një rol vendimtar ndërsa Real Madridi fitoi titullin kampion dhe Champions League, duke shpërblyer plotësisht besimin që klubi kishte tek ai.

Në këtë këndvështrim, rinovimi i kontratës së tij deri në vitin 2030 nuk ishte thjesht një formalitet administrativ. Ai pasqyronte një besim të ndërsjellë. Lunin beson te aftësitë e veta dhe nuk dyshon kurrë te vetja, pavarësisht pranisë së Courtois; nga ana tjetër, Real Madridi e mban atë në radhët e veta dhe vlerëson kontributin që ai ofron.

Burimi: telesport.al

Të fundit Të gjitha