Gjykata Supreme ka pranuar kërkesat për rishikim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura nga ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, duke i kthyer për rigjykim vendimet që kanë të bëjnë me zjarrin tragjik të 8 shtatorit 2021, në të cilin humbën jetën 14 persona.
Vendimi është marrë më 22 tetor dhe është bërë publik sot nga Gjykata Supreme. Me të është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Tetovës, i datës 16 maj 2025, si dhe vendimi i Gjykatës së Apelit të Gostivarit i 26 nëntorit 2025.
Vendimi i gjykatës së apelit
Sipas vendimit të gjykatës së apelit, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga tre vjet burg secili për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë publike”.
Gjykata Supreme vlerëson se vendimet e gjykatave më të ulëta përmbajnë mangësi të rënda në arsyetimin e tyre. Në veçanti, ato nuk e kanë sqaruar mjaftueshëm lidhjen shkakësore mes veprimeve të të pandehurve dhe pasojave të tragjedisë, ndërsa provat për shkakun dhe përhapjen e zjarrit nuk janë vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Prova dhe përgjegjësia në rigjykim
Gjykata Supreme thekson se nuk është përcaktuar qartë se cilat prova kanë shërbyer si bazë për konkluzionin se Florin Besimi dhe Artan Etemi kanë vepruar si bashkëkryerës. Po ashtu, nuk është arsyetuar se në bazë të cilave prova është konstatuar se, duke vepruar së bashku, ata nuk kanë siguruar pajisjet e nevojshme kundër zjarrit dhe rrjetin e hidrantëve.
Një nga çështjet kryesore që duhet të vlerësohet në rigjykim ka të bëjë me atë nëse mungesa e pajisjeve kundër zjarrit ka shkaktuar shpërthimin e flakëve ose ka kontribuar në përhapjen e tyre dhe në pasojat e rënda të ngjarjes.
Burimi: www.albeu.com









