TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ndjekja e pasurive me prejardhje të paligjshme, mbrojtja e provave elektronike dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimet për korrupsion ishin në qendër të takimit të 16-të të Rrjetit të Organeve Ligjzbatuese (LEN), që u mbajt në Tiranë nga 27 deri më 29 tetor.
Pjesëmarrësit dhe organizimi i takimit
Aktiviteti, i organizuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), mblodhi 70 hetues dhe prokurorë nga 28 juridiksione, si dhe përfaqësues të tri organizatave ndërkombëtare.
Gjatë tri ditëve të takimit pjesëmarrësit ndanë përvoja praktike mbi metodat e hetimit të korrupsionit, përdorimin e ligjshëm të informacionit fillestar, ruajtjen e provave elektronike dhe verifikimin e origjinës së paligjshme të pasurive.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave që hasin autoritetet ligjzbatuese në hetimet me shtrirje ndërkombëtare, kur personat nën hetim, informacionet me interes për çështjen apo pasuritë e dyshuara ndodhen në juridiksione të ndryshme.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe zinxhiri i provave
Në këto raste, identifikimi dhe gjurmimi i aseteve, si dhe sigurimi i provave që mund të përdoren në procedimet penale, kërkojnë koordinim mes institucioneve të vendeve të përfshira.
SPAK theksoi rëndësinë e krijimit të një zinxhiri të qëndrueshëm provash përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht në rastet kur hetimet nuk kufizohen brenda territorit të një shteti.
Takimi i zhvilluar në Tiranë është pjesë e Rrjetit Kundër Korrupsionit të OECD-së për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore (ACN), një mekanizëm bashkëpunimi që synon shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit.
Aktiviteti u bashkorganizua nga SPAK dhe OECD, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Në përfundim të njoftimit, SPAK falënderoi OECD-në dhe Rrjetin e saj Kundër Korrupsionit për bashkorganizimin, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë.
/a.f/r.e/
Burimi: ata.gov.al









