E keni mobiluar dhomën e ndenjjes me një divan komod, keni shtuar tavolina anësore, karrige, bimë zbukuruese dhe ndoshta edhe një qilim për t’i dhënë ambientit më shumë harmoni. Megjithatë, diçka duket se nuk shkon, por është e vështirë të kuptohet se ku qëndron problemi.
Ky është një dilemë e zakonshme në arredimin e ambienteve të brendshme. Por ekspertët propozojnë një mënyrë shumë të thjeshtë për të zbuluar gabimet në arredim, e cila kërkon vetëm pesë sekonda.
Truku i pesë sekondave: Shikoni ambientin me sytë gjysmë të mbyllur
Metoda e shikimit me sytë gjysmë të mbyllur
Metoda është fare e thjeshtë: mbyllini pak sytë për rreth pesë sekonda dhe shikoni të gjithë dhomën. Në këtë mënyrë, pamja bëhet më e paqartë dhe objektet humbasin një pjesë të hollësive të tyre. Kjo ndihmon që të dallohen më lehtë problemet me ngjyrat, përmasat dhe shpërndarjen e elementeve dekorative.
Nëse e gjithë dhoma duket sikur është një njollë e vetme me të njëjtën ngjyrë, atëherë ambientit i mungon kontrasti. Nëse të gjitha mobiliet dhe objektet janë vendosur në të njëjtën lartësi, nevojitet më shumë larmi.
Një tjetër element i rëndësishëm është mënyra se si lëviz shikimi nëpër dhomë. Nëse syri kalon vazhdimisht nga një objekt tek tjetri, pa gjetur një pikë ku të përqendrohet, kjo mund të tregojë se ka shumë elemente që konkurrojnë për vëmendje.
Nga ana tjetër, nëse shikimi ndalet vetëm në një zonë të caktuar, si për shembull te një objekt shumë i madh, shumë i errët ose tepër i ndritshëm, kjo mund të tregojë se ekuilibri vizual i ambientit nuk është arritur.
Si të krijohet një ambient më harmonik
Si të krijohet një ambient më harmonik?
Qëllimi është të krijohet ekuilibër dhe të drejtohet shikimi drejt elementeve që meritojnë më shumë vëmendje.
Për këtë rekomandohet:
- Krijimi i kontrastit: Përdorimi i ngjyrave më të errëta, si druri në nuanca të thella ose e kuqja e pasur, mund t’i japë ambientit më shumë karakter.
- Larmia në lartësi: Kombinimi i mobilieve dhe objekteve dekorative me lartësi të ndryshme e bën hapësirën më interesante.
- Përcaktimi i pikave kryesore: Një pikturë, një mobilie e veçantë apo një element dekorativ mund të shërbejë si pika kryesore ku përqendrohet shikimi.
- Shmangia e mbingarkesës: Shumë objekte dekorative dhe ngjyra që konkurrojnë me njëra-tjetrën mund ta bëjnë ambientin të duket i çrregullt.
Burimi: anabelmagazine.com










