TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Mbrojtja e fëmijëve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e situatave që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e tyre ishin në qendër të tryezës së sotme të Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua për ngjarjet e fundit dhe nevojën për një plan të përbashkët veprimi me shoqërinë civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.
Klodiana Spahiu
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu theksoi se mbrojtja e të miturve duhet të jetë përparësi përtej çdo ndasie apo interesi politik.
“Ngjarjet e fundit na kanë vendosur përpara nevojës, për të vlerësuar jo vetëm masat e ndërmarra por edhe mënyrën se si institucionet tona bashkëpunojnë për të parandaluar dhe trajtuar situatat që mund të cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve”, u shpreh Spahiu.
Ajo tha se takimi synon të krijojë një hapësirë të përbashkët diskutimi për situatën aktuale, përgjegjësitë institucionale dhe masat që duhet të ndërmerren në vijim.
“Mbrojtja e të miturve duhet të prevalojë, ashtu siç kemi shprehur bashkërisht, mbi çdo axhendë, ndasi dhe interes politik. Le ta shohim këtë takim jo vetëm si një reagim ndaj situatave të ditëve të fundit, por edhe si një mundësi për të identifikuar sfidat, për të përmirësuar mekanizmat tanë dhe për të forcuar përgjegjësinë e përbashkët”, theksoi ministrja.
Spahiu nënvizoi se përgjegjësia për mbrojtjen e fëmijëve i përket të gjithë shoqërisë, duke përfshirë prindërit, mësuesit, mentorët, drejtuesit dhe qytetarët.
Burimi: ata.gov.al









