Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Steinmeier shpreh besim të fortë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare me Kinën

Steinmeier shpreh besim të fortë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare me Kinën
Foto: reporteri.al

PEKIN, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, shprehu bindjen se Gjermania dhe Kina kanë mundësi t’i zgjidhin kontestet e tyre tregtare, gjatë një takimi që zhvilloi sot me kryeministrin kinez Li Qiang në Pekin.

Marrëveshja e arritur së voni për kufizimin e eksporteve të automjeteve hibride drejt Bashkimit Evropian dëshmon se edhe në çështjet e ndërlikuara mund të gjenden zgjidhje, theksoi Steinmeier në nisje të takimit.

Presidenti gjerman ngriti gjithashtu shqetësimin lidhur me çekuilibrin në rritje të marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Deficiti tregtar i Gjermanisë me Kinën arriti në rreth 90 miliardë euro (100 miliardë dollarë) gjatë vitit të kaluar.

“Kemi ardhur me qëllimin për të ruajtur dhe forcuar kushtet për një shkëmbim të mirë ekonomik mes dy vendeve tona”, deklaroi Steinmeier, duke shtuar se problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe bashkëpunimit.

Ai theksoi se Kina mbetet një partner shumë i rëndësishëm për Gjermaninë, si partneri i saj më i madh tregtar, ndërsa vlerësoi ritmin mbresëlënës të zhvillimit teknologjik dhe ekonomik të vendit. Nga ana e tij, kryeministri Li Qiang e cilësoi Steinmeierin një “mik të vjetër dhe të mirë” të Kinës.

Presidenti gjerman ka kryesisht një rol ceremonial, por shpesh shprehet për çështje të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Steinmeier përfundon sot vizitën e tij gati njëjavore në Kinë, gjatë së cilës pritet të takohet edhe me presidentin kinez Xi Jinping./ /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha