Delegacioni italian, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto, pritet të arrijë sot në Bosnje-Hercegovinë, një ditë pas aksidentit të rëndë me helikopter që ndodhi në zonën e Brçkos.
Viktimat dhe të plagosurit
Në aksident humbën jetën katër shtetas italianë: dy ushtarë, rreshterët Simone Ruggia dhe Claudio Marchesi, si dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq, togeri Franco Adriano Zecchilli dhe rreshterja Laura Procacci.
Njëmbëdhjetë persona të tjerë mbetën të plagosur, por sipas informacioneve të deritanishme asnjëri prej tyre nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Ministria italiane e Mbrojtjes ka reaguar menjëherë duke dërguar një ekip mjekësor për ndihmë ndaj të plagosurve, ndërsa paralelisht ka nisur hetimi për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Sipas të dhënave të deritanishme, helikopteri Chinook i ushtrisë italiane ka filluar të rrotullohet papritur rreth boshtit të vet gjatë fluturimit në lartësi të ulët.
Më pas ai humbi lartësinë në një lëvizje spirale dhe u rrëzua me shpejtësi të madhe në një tokë bujqësore.
Në helikopter ndodheshin 15 pjesëtarë të misionit EUFOR Althea.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë zjarrfikësit, pjesëtarë të mbrojtjes civile dhe forcat e EUFOR-it, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes.
Reagimi i presidentit Mattarella dhe hetimet
Për tragjedinë ka reaguar edhe presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i cili i ka dërguar një mesazh shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes, Luciano Portolano.
Ai shprehu tronditje të thellë për humbjen e jetëve njerëzore dhe kërkoi ngushëllime e mbështetje për familjet e viktimave.
“Në këto rrethana trishtuese, ju lutemi përcillni ngushëllimet dhe solidaritetin tim të sinqertë për ushtrinë italiane dhe Korpusin Ushtarak të Kryqit të Kuq për dhimbjen e shkaktuar nga kjo ngjarje tragjike, si dhe përcillni afërsinë dhe mbështetjen time për familjet e viktimave”, tha Mattarella.
Shkaku i aksidentit nuk dihet ende. Ministria italiane e Mbrojtjes bëri të ditur se hetimet vazhdojnë dhe se ndër shkaqet e mundshme është kontakti i helikopterit me linjat elektrike të tensionit të lartë, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
EUFOR konfirmoi se helikopteri ishte i angazhuar në një “stërvitje rutinë” dhe njoftoi një hetim të gjithanshëm për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Chinook është një helikopter ushtarak i zhvilluar nga Boeing në fillim të viteve 1960. Ai u përdor gjerësisht gjatë Luftës së Vietnamit dhe, për shkak të kapacitetit të lartë mbajtës, vazhdon të përdoret në shumë vende edhe sot.
Ky mjet mund të transportojë deri në 50 persona dhe dallohet nga dy rotorë të mëdhenj të vendosur në pjesën e përparme dhe të pasme të helikopterit.
Chinook ishte pjesë e flotës së përdorur nga misioni EUFOR Althea, i cili komandohet nga gjenerali italian Maurizio Fronda që nga janari i këtij viti.
Burimi: www.gazetaexpress.com










