Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Rusia: Mbi 600 dronë lëshohen drejt rajonit të Moskës

Rusia: Mbi 600 dronë lëshohen drejt rajonit të Moskës
Foto: reporteri.al

MOSKË, 29 tetor /ATSH-AFP/ – Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobianin, deklaroi sot se më shumë se 600 dronë u lëshuan drejt rajonit të Moskës, në ditën e dytë të samitit Rusi-Afrikë që po zhvillohet në kryeqytetin rus.

Dronët mbi rajonin e Moskës

“Nga ora 20:30 e 28 tetorit deri në orën 07:00 të 29 tetorit, 613 dronë u drejtuan drejt rajonit të Moskës. Shumica u neutralizuan nga mbrojtja kundërajrore e Ministrisë së Mbrojtjes, në distancë të madhe”, bëri të ditur Sobianin në llogarinë e tij në Telegram, duke shtuar se 231 dronë të tjerë u shkatërruan teksa po afroheshin drejt Moskës.

Sipas Kremlinit, kryeqyteti rus pret që prej së mërkurës samitin e tretë Rusi-Afrikë, në të cilin janë ftuar delegacione nga 48 vende, 22 prej të cilave të kryesuara nga krerët e shteteve.

Negociatat e paqes dhe sulmet e fundit

Këto sulme ndodhin në një kohë kur Moska dhe Kievi po përgatiten të rifillojnë në nëntor negociatat e paqes, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, më shumë se katër vjet e gjysmë pas nisjes së ofensivës së gjerë ruse në Ukrainë.

Gjatë muajve të fundit, të dyja vendet kanë shtuar sulmet me dronë dhe lloje të tjera predhash, duke shkaktuar viktima në të dyja palët.

Në mesin e shtatorit, Ukraina kishte lëshuar rreth 1 600 dronë drejt rajonit të Moskës, në atë që, sipas Sobianinit, ishte sulmi më i madh i këtij lloji brenda një dite që nga fillimi i luftës./ /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha