Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Pagesat elektronike në OSHEE, mbi 23 mijë veprime në POS-et e Klientit

Pagesat elektronike në OSHEE, mbi 23 mijë veprime në POS-et e Klientit
Foto: reporteri.al

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se mbi 23 mijë transaksione elektronike janë kryer për pagesën e faturave të energjisë elektrike në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, gjatë vitit të parë të funksionimit të shërbimit të pagesave përmes terminaleve POS. Sipas të dhënave të OSHEE, vlera totale e faturave të shlyera në këtë mënyrë ka arritur në rreth 1 milion euro, që prej nisjes së shërbimit në tetor të vitit të kaluar.

Prezantimi dhe zgjerimi i pagesave me kartë

Sipas OSHEE-s, pagesat elektronike me kartë bankare u prezantuan më 1 tetor 2025, fillimisht si projekt pilot në Tiranë. Në atë kohë, OSHEE njoftoi se terminalet POS do të pranonin kartat e të gjitha bankave, pa kosto shtesë për abonentët, ndërsa shërbimi do të zgjerohej gradualisht edhe në qytete të tjera. Aktualisht, sipas të dhënave të kompanisë, kjo mënyrë pagese ofrohet në të gjitha pikat e Kujdesit ndaj Klientit, duke u mundësuar abonentëve shlyerjen e detyrimeve për energjinë elektrike pa përdorur para në dorë.

Procedura nis me verifikimin e detyrimit të abonentit në sistemin e FSHU-së. Punonjësi i shërbimit regjistron shumën përkatëse në terminalin POS, ndërsa klienti e përfundon transaksionin duke përdorur kartën bankare ose një pajisje që mbështet pagesat pa kontakt përmes portofolit digjital. Pas miratimit të transaksionit, sistemi gjeneron konfirmimin elektronik të pagesës. Sipas OSHEE, shërbimi synon të thjeshtojë procedurën e arkëtimit dhe të reduktojë kohën e pritjes në sportele.

Digjitalizimi dhe kanalet e tjera të pagesës

Zgjerimi i pagesave përmes terminaleve POS është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve të OSHEE Group, i cili përfshin edhe kanale të tjera për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.

Përveç pagesave në sportele, abonentët mund të përdorin aplikacionin e OSHEE-së, faqen zyrtare të kompanisë dhe platformën e-Albania për pagesat online. Faturat mund të shlyhen gjithashtu përmes bankave të nivelit të dytë, Postës Shqiptare dhe pikave të transferimit të parave. Ndryshe nga pagesat përmes terminaleve POS, që realizohen fizikisht në zyrat e shërbimit, platformat digjitale të OSHEE-së mundësojnë kryerjen e pagesave në distancë, gjatë 24 orëve të ditës.

/e.i/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha