Financimi për kërkimin shkencor vazhdon të mbetet i pakët, pavarësisht premtimeve të bëra ndër vite. Nga totali prej 103 milionë eurosh që universitetet publike shpenzuan gjatë një viti akademik, vetëm 4.2 milionë euro u destinuan për këtë qëllim. Duhet theksuar se në këto fonde përfshihen edhe dietat dhe shpenzimet e udhëtimeve.
“Fondi i kërkimit shkencor nuk arrin as 4 për qind, që do të thotë se shpenzojmë më shumë para për letra dhe printera sesa u japim pedagogëve për kërkim shkencor”, deklaroi Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Universiteti kryesor i vendit, ai i Tiranës, shpenzoi një shumë modeste prej vetëm 1.02 milionë eurosh, ndërsa Politekniku 756 mijë euro.
Megjithatë, për këtë zë janë llogaritur vetëm fondet e vëna në dispozicion nga vetë universitetet, duke mos përfshirë totalin e parave të shpenzuara nga buxheti i shtetit apo përfitimet nga projekte të ndryshme.
Fondet për shkencën dhe financimi i huaj
Për herë të parë, vetë qeveria njoftoi dyfishimin e fondeve për kërkimin shkencor, nga 758 milionë lekë në vitin 2023 në 1.5 miliardë lekë për vitin 2024. Sidoqoftë, fondet për shkencën mbeten ende rreth 10 herë më të ulëta se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
“Një diplomë cilësore nuk arrihet pa mbështetje. Asnjë diplomë nuk është cilësore nëse merr një pagë të pakët dhe në kushte modeste që mundohemi t’i përmirësojmë”, thuhet në deklaratë.
Një e treta e buxhetit të vitit 2024 për kërkim shkencor buron nga financimi i huaj, i cili sjell edhe detyrimin për pjesëmarrje në projekte të ndryshme ndërkombëtare. Një nga treguesit më domethënës është aftësia e Shqipërisë për të tërhequr fonde të huaja. Ndër projektet më të mëdha është “Horizon Europe”. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka arritur të përfitojë 11 milionë euro. Janë paraqitur rreth 900 aplikime, nga të cilat vetëm 60 janë shpallur fituese. Nga totali i këtyre fondeve, rreth 4 milionë euro janë përfituar nga organizata dhe 3.7 milionë euro nga universitete. Krahasuar me rajonin, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë përqindje suksesi më të lartë se Shqipëria, e cila lë pas vetëm Kosovën, u shpreh Aleko Miho, pedagog.
“Pse nuk marrin fonde europiane universitetet shqiptare, ndonëse kanë akses në fonde prej miliona eurosh? Shikoni Serbinë, vetëm universiteti i Bioteknologjisë që po ndërtohet kushton 500 milionë euro nga BE. Fondet që kanë marrë universitetet nga BE janë 400 mijë euro, sa paga e një drejtori epidemiologjie në Zvicër”, u shpreh Taulant Muka, kërkues shkencor.
Shpenzimet për investime dhe transparenca
Në kontrast të fortë me nevojat dhe motivet e revoltave studentore, pavarësisht fondeve të pakta për kërkimin shkencor, një pjesë e konsiderueshme e parave të universiteteve shkon për rikonstruksion, mobilim, siguri fizike e të tjera.
Më konkretisht, Universiteti Politeknik shpenzoi rreth 4.1 milionë euro për investime të lidhura me ndërtimet dhe rikonstruksionet, Universiteti i Tiranës rreth 3.6 milionë euro, Universiteti i Durrësit rreth 3.5 milionë euro për mobilimin e një ndërtese, ndërsa Universiteti i Mjekësisë mbi 2.1 milionë euro për rikonstruksionin e godinës së Farmacisë.
Rritja e transparencës për financat ishte një ndër premtimet e Paktit për Universitetin, por raportet e “Qëndresës Qytetare” evidentojnë vështirësi në aksesin ndaj kontratave, dokumentim të pamjaftueshëm të disa shpenzimeve dhe përqendrim të pagesave te disa operatorë ekonomikë.
“Në sektorin privat ka laboratorë, ndërsa në atë publik restaurohet një sallë tri herë vetëm për të përvetësuar fonde, pra këta nuk e kanë seriozisht”, u shpreh Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Burimi: top-channel.tv










