Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për masat fiskale që pritet të nisin zbatimin më 1 janar 2027. Ai thekson se ulja e TVSH-së për ushqimet në 6% dhe heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës duhet të pasqyrohen drejtpërdrejt te konsumatorët.
Në reagimin e tij, Braçe shpjegon se ushqimet, si ato të freskëta ashtu edhe ato të fabrikuara, nuk janë tatuar më parë me normën 6% të TVSH-së. Sipas tij, nga fillimi i vitit të ardhshëm kjo normë do të jetë 14 pikë përqindjeje më e ulët.
Ai i vlerëson këto dy masa si ndërhyrje me karakter social, që synojnë të ulin çmimet e ushqimeve dhe kostot e transportit privat, publik e industrial, duke ndikuar në uljen e kostos së jetesës.
Garantimi i efektivitetit të masave
Megjithatë, deputeti socialist thekson se sfida kryesore është garantimi i efektivitetit të masave dhe kalimi i plotë i përfitimit fiskal te qytetarët, përmes çmimeve më të ulëta.
Sipas Braçes, dy muajt e mbetur deri në hyrjen në fuqi të masave duhet të shërbejnë për hartimin dhe miratimin e instrumenteve që do të garantojnë se ulja e taksave nuk do të kthehet në përfitime shtesë për tregtarët.
Ai ngre shqetësimin për përqendrimin në treg dhe interesin e operatorëve ekonomikë për të përfituar nga ndryshimet fiskale, duke kërkuar mekanizma që do të sigurojnë që përfituesi i vetëm të jetë konsumatori.
“Këto nuk janë masa ku përfitimi duhet ndarë mes qytetarëve dhe tregtarëve, por masa ku i vetmi përfitues duhet të jetë qytetari, që duhet të blejë më lirë fiks sa parashikojnë këto dy masa”, thekson Braçe në reagimin e tij.
Kërkesa për masa konkrete nga institucionet
Në përfundim, deputeti socialist kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për të garantuar uljen reale të çmimeve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale. Ai nënvizon se nuk duhet të ketë tolerim për mosreflektimin e tyre te konsumatorët.
Burimi: top-channel.tv










